Pastrohen mbeturinat ndërtimore në Tearcë

Komunat rurale vazhdojnë të kenë problem me mbeturinat e forta. Shumë hapësira publike, të cilat në vend se të jenë trotuare dhe hapësira me gjelbërim, janë shndërruar në deponi të egra. Kjo situatë nuk është risi dhe vazhdimisht është trajtuar si në nivel të pushtetit qendror, ashtu edhe në nivel të pushtetit lokal, por zgjidhje nuk është gjetur. Kjo gjendje e këtillë kaotike me mbeturinat e forta ka bërë që në shumë komuna në vende periferike këto mbeturina të hidhen në sasi të mëdha. Gjendje e këtillë është hasur kohëve të fundit në territorin e Komunës së Tearcës përgjatë rrugës rajonale Jegunoc – Përshefcë.

Kryetari i Komunës së Tearcës tregon për gjendjen faktike në teren dhe se para një viti është pastruar deponia me mbetje nga materialet ndërtimore, por është krijuar sërish. “Jemi dëshmitarë se në rrugën rajonale Përshefcë – Jegunoc, është krijuar deponi me mbetje ndërtimore. Neve si komunë, para një viti e kemi pastruar këtë deponi të egër, e cila ka qenë në gjatësi prej 500 metrave përgjatë kësaj rruge. Pas një viti është krijuar e njëjta situatë dhe sërish janë hedhur mbeturina, kurse ne si komunë këtyre ditëve sërish kemi marrë aksion për pastrimin e këtyre mbeturinave të forta”, theksoi kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.

Por krahas kësaj, kreu i Komunës së Tearcës thekson se edhe qytetarët deri më tani kanë patur problem me hedhjen e mbeturinave të forta nga prishja e objekteve të vjetra, sepse ka mungesë të vendit adekuat. Zgjidhje me këtë rast në territorin e komunës së Tearcës është përcaktuar një hapësirë e re për hedhjen e mbeturinave të forta. “Apeloj tek qytetarët për mirëkuptim, për mirësjellje dhe të gjithë të kujdesemi për një ambient të pastër. Dua të theksoj se edhe qytetarët nuk kanë faj se ku ti hedhin mbeturinat kur prishin objekte të vjetra. Shumë shpejt do të krijojmë një vend adekuat, këtu afër në këtë rrugë për me rreth 3 hektarë tokë, e cila do të adaptohet për hedhje të këtyre mbeturinave. Prandaj i lus qytetarët që mos hedhin mbeturina të forta vend e pa vend”, thotë Isen Asani, kryetar i Komunës së Tearcës.

Gjendje e këtillë haset edhe në tërë territorin e Komunës së Jegunocit, ku mbeturinat e forta, por jo vetëm, hidhen pranë rrugëve lokale të fshatrave të kësaj komune. Por situatë e këtillë haset edhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut nga Kosova,respektivisht nga vendkalimi kufitar Jazhincë, ku përgjatë rrugës ka shumë mbeturina të hedhura. Kjo jep një imazh të keq për të gjithë ata që hyjnë në shtetin tonë, qoftë si udhëtarë tranzit apo për qëndrim. Nga Komuna e Jegunocit theksojnë se mbeturinat pastrohen, por vazhdimisht hidhen sërish nga qytetarët, dhe apelojnë për më shumë kujdes në mbrojtjen e ambientit jetësor./Koha.mk/

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey