PDK shihet ndryshe me Memli Krasniqin si kryetar

Si mund të ndryshojë përbërja e Kryesisë së PDK-së me Memli Krasniqin kryetar.

Memli Krasniqi dëshiron ekip të ri në krye të PDK-së. Pasi të zgjidhet zyrtarisht kryetar nesër, ai ka paralajmëruar ndryshime në strukturat udhëheqëse të partisë. Krasniqi beson se përbërja aktuale e PDK-së s’mund ta kthejë partinë aty ku ka qenë.

Partia Demokratike e Kosovës të shtunën do ta zgjedhë kryetarin e saj. Memli Krasniqi, kandidati i vetëm për kryetar të ri të partisë dëshiron një ekip po ashtu të ri në krye të saj, në mënyrë që të përpiqen ta rikthejnë sërish në pushtet partinë e dalë nga lufta.

Memli Krasniqi tha të mërkurën në Pressing të T7 se është i bindur që PDK-ja ka potencial të madh, por se rikthimi i kësaj partie është i vështirë me përbërjen aktuale. Ai u shpreh i hapur për të mirëpritur emra të rinj që mund të bëhen pjesë e organeve udhëheqëse të kësaj partie.

“Unë jam i bindur absolutisht që ne kemi potencial ta ndërtojmë ekipin dhe profilin që na duhet për t’ia dhënë Kosovës një adresë politike të besueshme dhe të mirëfilltë dhe ta rikthejmë Partinë Demokratike të Kosovës si parti që i fiton zgjedhjet, siç i ka fituar edhe në të kaluarën. Kjo mund të arrihet vetëm duke e çliruar potencialin e brendshëm dhe duke i dhënë hapësirë potencialit nga jashtë për t’i ndihmuar dhe për ta çuar përpara këtë që e kemi”, tha Krasniqi.

Enver Hoxhaj, i cili e ushtroi detyrën e kryetarit të PDK-së për disa muaj, pas arrestimit të dy ish-kryetarëve, Kadri Veseli e Hashim Thaçi me urdhër të Gjykatës Speciale, tha të mërkurën se ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku do të jetë anëtare e kryesisë së re të partisë.

“Vlora Çitaku do të jetë anëtare e kryesisë së PDK-së. Unë me të jam takuar para 4 orësh”, tha Hoxhaj të mërkurën në Kanal 10.

Hoxhajn, por edhe Çitakun, të cilën e quajti bashkëpunëtore të kahmotshme, Krasniqi tha se do të insistojë t’i ketë bashkë në ekipin e ri të kryesisë së partisë. Ai theksoi se nevojitet një ‘mix’ mes atyre që aktualisht janë në PDK dhe atyre që do të mund t’i bashkohen kësaj partie.

“Do të insistoj që të jenë pjesë e ekipit tim. PDK-ja ka nevojë që krejt potencialin e saj ta vë në funksion të riformësimit të luftës politike me Qeverinë. Ne që jemi aty padyshim që duhet të jemi të gjithë, por duhet të kemi edhe njerëz të tjerë, të cilët jam i bindur që do të na bashkohen”, tha ai… Aspiratë e imja është – dhe besoj thellë që mund ta arrijmë – bashkimin e energjive të reja me përvojën ekzistuese të PDK-së”, tha Krasniqi, duke shtuar se PDK-së nuk i duhet qasja përjashtuese.

Ish-ministri dhe ish-deputeti i disa legjislaturave në Kuvendin e Kosovës thotë se është e ditur që përbërja aktuale e PDK-së nuk mund ta rikthejë partinë sërish fituese dhe në pushtet. Këtë tha se ua ka thënë edhe bashkëpartiakëve në takimet e brendshme.

“Ne e dimë që Partinë Demokatike të Kosovës vetë ne si të tillë nuk mund ta rikthejmë aty ku ka qenë. Fjalia ime e parë në takimet tona të brendshme ka qenë se ne jemi të pamjaftueshëm kështu siç jemi për t’i rifituar zgjedhjet, dhe meqenëse unë besoj në këtë, unë mendoj që ne duhet të jemi të hapur dhe ta rindërtojmë Partinë Demokartike të Kosovës”, tha Krasniqi në Pressing.

Krasniqi foli edhe për ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit në Shqipëri, Gent Cakajn, me të cilin tha se do të ishte nder që të ishin në një ekip.

“Gentin e konsideroj mik. Është një prej njerëzve që i vlerësoj më së shumti nga gjenerata e re e politikanëve. Një njeri i cili e ka marrë një barrë të jashtëzakonshme që në një moshë të re ta udhëheq politikën e jashtme të një shteti anëtar të NATO-s siç është Shqipëria dhe qa bërë një punë të shkëlqyer. Për mua do të ishte nder të jem pjesë e një ekipi bashkë me Gentin. PDK-në një aset siç është Gent Cakaj do ta ndihmonte shumë në këtë ndërtimin e konceptit të ri politik për fazën e ardhshme që na pret”, tha ai.

Sfida e parë e kryetarit dhe krysisë së PDK-së nga e shtuna do të jenë zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor. Krasniqi paralajmëroi se me të kryetar, do të ketë kandidatë dhe kandidate për kryetarë komunash që më herët nuk kanë garuar.

“Partia Demokratike e Kosovës do të ofrojë hapësirë për kandidate dhe kandidatë që do të garojnë për herë të parë”, tha ai.

Gazeta Express ka provuar të flasë me anëtarët aktualë të Kryesisë së PDK-së lidhur me zgjedhjet e brendshme në këtë parti, por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje përpara mbajtjes së Konventës.

Kryetari i ri i PDK-së, sipas statutit të partisë, zgjidhet nga Konventa e Përgjithshme e PDK-së me votim të fshehtë. Nëse për kryetar të partisë ka vetëm një kandidat, Konventa mund te vendosë që votimi të bëhet me ngritje dore.

Mandati i kryetarit zakonisht zgjatë katër vjet vjet, por meqenëse Veseli nuk e kishte përfunduar tërësisht mandatin e tij në krye të partisë, kryetari i ri do ta marrë drejtimin e partisë për dy vitet e mbetura të atij mandati.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey