Pendarovski takoi Varhejin dhe Lajçakun: Të gatshëm të fillojmë negociatat me BE-në

Presidenti Stevo Pendarovski ka filluar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel.

Të parët ka takuar, komisarin për politikë fqinjësore dhe zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varheji dhe përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd – Prishtinë, Mirosllav Lajçak.

Në takimin me Varhejin, Pendarovski “ka shprehur falënderimin për angazhimin e tij dhe mbështetjen për realizimin e marrëveshjes për shpërndarjen e 651.000 dozave të vaksinave “Pfizer” për vendet e Ballkanit Perëndimor, prej të cilave për shtetin tonë shkojnë 119.000 vaksina”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Pendarovskit.

“Presidenti ka porositur se është kyçe të përshpejtohet procesi i vaksinimit gjatë periudhës që vijon dhe të mundësohet jeta të kthehet në normalitet sa më shpejtë”.

Është folur edhe për planin ekonomik-investus të BE-së për Ballkanin Perëndimor, për mbledhjet në kuadër të BE-së që pritet të mbahen gjatë muajit maj dhe qershor, si dhe për çështjet bilaterale që lidhen me raportet e mira ndërfqinjësore.

“Në takim u shkëmbyen mendime dhe informacione për tejkalimin e problemeve me Bullgarinë. Presidenti Pendarovski dhe komisari Varheji theksuan rëndësinë që përfundimisht të mbahet konferenca ndërqeveritare dhe fillimi formal i negociatave qasëse për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesë, transmeton TV21.

Ndërkaq, në takimin me përfaqësuesin special, Mirosllav Lajçak, “është biseduar për zhvillimin më të ri të ngjarjeve në rajon, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohemi në raport me stabilitetin rajonal”.

“Bashkëbiseduesit e theksuan nevojën për bashkëpunim dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski porositi se Maqedonia e Veriut është e gatshme të fillojë negociatat qasëse me BE-në”.

Gjatë ditës, presidenti do të realizojë takim me presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel, me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sasoli, me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Zhozep Borell dhe me eurodeputetin, Ilhan Kyqyk

Gjatë ditës së nesërme, në Burksel Pendarovski pritet të takohet edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg./TV21

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey