Për 10 denar do të ulet çmimi i parkingjeve në Shkup

Për 10 denarë do të ulen çmimet për parkim në parkingjet me të cilat menaxhon NP “Parkingu i Qytetit” në Shkup.

Kryetarja Danella Arsovska i ka dorëzuar letër menaxhmentit të ndërmarrjes për përgatitjen e çmimores së re me 25 për qind ulje të çmimit të parkimit. Siç qëndron në letër, ulja e çmimit është rezultat i programit zgjedhor për kryetare komune në të cilin ajo premtoi parkim më të lirë.

Drejtori i NP “Parkingu i Qytetit” Borçe Jakimovski tha se u ka dhënë urdhër shërbimeve që të përgatisin një çmimore të re dhe deri në fund të javës do të caktohet mbledhja e Këshillit udhëheqës, në të cilin duhet të miratohet çmimorja e re.

“Më pas, në seancën e radhës të Këshillit të Qytetit të Shkupit, çmimorja e re do të vendoset në rend dite për miratim. Në mënyrë që çmimi të rrumbullakoset, do të propozojmë ulje për 10 denarë për parkim, gjegjësisht për parkingje të mbyllura dhe në garazhe shumëkatëshe, në vend të 30, të jetë 20 denarë. Në parkingjet zonale në zonën A nga 50 denarë, parkimi do të zvogëlohet në 40, në zonën B nga 40 në 30 denarë, ndërsa në zonën C dhe D parkimi do të jetë 20 denarë në vend të 30 si deri më tani”, tha drejtori Jakimovski.

NP “Parkingu i Qytetit” në dhjetor të vitit të kaluar e shtrenjtoi parkimin për 5 denarë. Atëherë nga ndërmarrja shpjeguan se çmimet e reja janë për shkak të rritjes së harxhimeve për mirëmbajtjen e parkingjeve dhe garazheve shumëkatëshe që ato operojnë.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey