Përfundon takimi i Komisionit të Përbashkët Historik

Pa asnjë informacion nëse është arritur ndonjë marrëveshje për tekstet e librave shkollore për periudhën e mesjetës dhe Car Samuilit, përfundoi takimi i 18-të i Komisionit të Përbashkët Historik, nga i cili pritej përparim i madh, shkruan Alsat.

“Takimi kaloi në një atmosferë pozitive, me dialog të hapur dhe shkëmbim mendimesh lidhur me qëndrimet dhe interpretimet e së kaluarës për shekullin XI dhe XII”, thonë nga Komisioni i Përbashkët Historik

Historianët maqedonas nuk u ndalën para kamerave, ndërsa bullgarët thanë se gjithçka që kanë për të ndarë është në deklaratë, ndaj nuk janë përgjigjur nëse janë të kënaqur me takimin.

“Njeriu gjithmonë është i kënaqur me diçka. Ja, koha po përmirësohet. Ju faleminderit”, tha Angel Dimitrov – historian bullgar

Dimitrov para takimit konfirmoi se teksti për përkujtimin e përbashkët të Car Samuilit është “tashmë punë e kryer”, por mbeti e paqartë nëse i njëjti tekst do të përdoret edhe në tekstet shkollore të Maqedonisë, për të cilën u negociua sot. Tekstin për festën e përkujtimit të përbashkët të Car Samuilit në vitin 2019 e shpërndanë historianët bullgarë dhe sipas tyre, në formulimin thuhet se Car Samuili është pasuesi i traditës perandorake bullgare, kryeqyteti i së cilës ndodhej në territorin e Maqedonisë. Historianët maqedonas nuk pranuan që i njëjti tekst të shkruhet në tekstet shkollore.

Ndryshe, dje kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se është bërë përparim i madh në punën e historianëve dhe detajet do të dihen së shpejti. VMRO-DPMNE opozitare akuzon se procesi është jotransparent.

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë për rrjedhën e negociatave informohen nga deklaratat e politikanëve bullgarë në media, e jo nga Kovaçevski apo Osmani, të cilët janë të detyruar të raportojnë në Kuvend dhe para qytetarëve… Kovaçevski dhe Osmani të thonë se cili është përparimi për të cilin Bullgaria është e lumtur dhe Maqedonia hesht? “, tha Dragan Kovaçki – VMRO-DPMNE

Takimi i ardhshëm i historianëve është caktuar për në 12 maj në Sofje.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey