Përgjimet me “Babale”, Salianji ankimon vendimin pas dënimit me një vit burg

Përveç deklaratave publike, ish-deputeti Ervin Salianji ka kundërshtuar në rrugë ligjore dënimin me një vit burg dhënë për të nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Ankimimi i firmosur nga avokati i Salianjit, Ledio Braho është depozituar në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit.

Avokati i tij Braho konfirmoi se bëhet fjalë për një ankim formal, me qëllim kapjen e afateve kohore të ankimimit. “Në ditët në vijim do të depozitojmë ankimin e plotë dhe të argumentuar përmes të cilit do t’i kërkojmë Apelit të ndryshojë vendimin e Shkallës së Parë dhe të deklarojë të pafajshëm ish-deputetin Ervin Salianji”, tha avokati Braho.

Përveç pretendimeve për mungesë provash, vend të konsiderueshëm në ankim pritet të zënë edhe argumentet e ish-deputetit për falsifikim faktesh nga ana e gjyqtarit Artan Gjermeni, në vendimin e arsyetuar të gjykatës.

Ankim kundër vendimit të shpallur në 18 dhjetor 2019 ka bërë edhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua 100 orë punë në interes publik, si edhe i fajësuari si aktruesi i zërit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm në audio-përgjim, Fredi Alizoti, i dënuar me dy vite burg.

Burime pranë gjykatës nuk konfirmuan depozitimin e një ankimi nga Albert Veliu, i njohur si “Babalja”, kundër dënimit me 3 vjet e 5 muaj burg, dhënë në mungesë të tij.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey