Petrovska: Bashkë me NATO-n kemi përforcuar sovranitetin tonë edhe në ajër! Jemi në anën e duhur të historisë

E kemi hapur rrugën drejt NATO-s shumë kohë më parë, në vitin 1993 dhe pas gati tre dekadash e kemi kaluar edhe qëllimin. Nga këndvështrimi i sotëm, është mjaft e qartë – ne u bëmë anëtarë të Aleancës në kohën e duhur. Kjo e konfirmon korrektësinë e vendimeve tona të arsyeshme, të guximshme dhe pragmatike. Me anëtarësimin në NATO nuk mund të lëkundet stabiliteti i vendit, dhe siguria garantohet bashkërisht nga Maqedonia e Veriut dhe 29 aleatët, tha sot ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në fjalimin e saj në manifestimin “Dita e NATO-s – 4 Prilli”.

Petrovska tha, “ne jemi NATO, dhe Dita e NATO-s është dita jonë, ne jemi në anën e duhur të historisë. “Besojmë fuqishëm në parimin e Aleancës: një për të gjithë – të gjithë për një.”

“Nuk lejuam që të na lëkundte zhgënjimi nga dhoma e pritjes në NATO. Ne kemi treguar gjithmonë kapacitet dhe arsyeshmëri historike, por nuk e kemi humbur ambicien për të qenë edhe më të mirë edhe kur kemi kaluar pragun e NATO-s. Sot jemi sërish përballë sfidave, me një luftë të pamëshirshme. Kjo krizë tregon se sa e paparashikueshme është bota në të cilën jetojmë dhe sa e rëndësishme është të kemi aleatë”, tha ajo.

Ajo potencoi gjithashtu se vendi ka rekord në shpejtësinë me të cilën përfundoi procesin e integrimit ushtarak në Aleancë. Ne jemi, shtoi ai, plotësisht të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe parandalimit të çdo kërcënimi të mundshëm.

“Me investime të papara në pajisje dhe modernizim, ne po forcojmë fuqinë tonë në tokë dhe së bashku me NATO-n kemi përforcuar sovranitetin tonë edhe në ajër. Nuk e humbëm ambicien për të qenë edhe më të mirë, edhe kur kaluam pragun e NATO-s. Jemi rekorder në shpejtësinë me të cilën përfunduam procesin e integrimit ushtarak në Aleancë, i cili zgjati për ne vetëm 19 muaj pas anëtarësimit. Me mbi 30 për qind të buxhetit të mbrojtjes për pajisje dhe modernizim, sot ne jemi pjesë e 24 aleatëve që tashmë kanë përmbushur udhëzimet e Samitit të NATO-s në Uells dhe jemi të përkushtuar të përmbushim kriterin e dytë – deri në vitin 2024 të ndajmë dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vit për mbrojtjen dhe ushtrinë. Duke pasur parasysh se vetëm për katër vjet e kemi dyfishuar buxhetin për mbrojtjen, nuk kam dyshim se këtë qëllim do ta realizojmë”, tha Petrovska.

Manifestimi “Dita e NATO-s – 4 Prilli” organizohet tradicionalisht nga Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë së Veriut dhe me të, përveç shënimit të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit dhe formimit të NATO-s, informon opinionin për zhvillimet globale, kontributin e vendit dhe përfitimet e anëtarësimit në Aleancë. Në ngjarje prezantohen gjithashtu reformat dhe progresi në baza vjetore, me përqëndrim të veçantë në ushtrinë. Këtë vit, fokus i veçantë i është kushtuar pandemisë dhe luftës në Ukrainë, në prag të Samitit të NATO-s në Madrid.

Para të pranishmëve, përveç ministres Petrovska, folën edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, Ismet Ramadani dhe ambasadorja e SHBA-së, Kejt Bërnz.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey