Plani urbanistik për Kodrën e Diellit pret aminin e Ministrisë së Transportit, vijojnë bisedimet me investitorin italian
Premtimet dhe afatet kohore për miratimin e planit detal urbanistik për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur. Afati i fundit i dhënë nga kryetari i Komunës së Tetovës ishte se ky plan do miratohej në tetor 2024, por që nuk u bë. Kasami tha se vonesa ka ardhur për shkak të bisedimeve me investitorin e […]
Premtimet dhe afatet kohore për miratimin e planit detal urbanistik për Kodrën e Diellit vazhdimisht janë shkelur. Afati i fundit i dhënë nga kryetari i Komunës së Tetovës ishte se ky plan do miratohej në tetor 2024, por që nuk u bë. Kasami tha se vonesa ka ardhur për shkak të bisedimeve me investitorin e interesuar për Kodrën e Diellit, shkruan Portalb.mk.
I pyetur nga Portalb.mk se pse ende nuk është miratuar plani detal urbanistik për Kodrën e Diellit, Kasami tha se nuk ka ndonjë problem dhe se i njëjti është dorëzuar në Ministrinë e Transportit për të marrë pëlqim që pastaj të kalojë në këshillin komunal.
“Pra është krejt në fazën përfundimtare. Vonesa është për shkak se ne kemi pasur një takim në Ministri të Punëve të Jashtme bashkë me Ministrinë e Transportit me investitorin italian i cili ka qenë i promovuar gjatë kohë për në Kodër të Diellit, i cili prezantoi idenë e tij dhe komunikimi me Ministrinë e Transportit ka qenë që nëse do të ketë investitori italian ndonjë kërkesë të cilën ne do duhet ta implementojmë në plan, do duhet të presim mos e miratojmë”, tha Kasami.
Ai tha se në takim është konstatuar se qeveria paraprake gati tre vite ka promovuar një investim që është në fillim të idesë.
“Pra nuk ka një plan të detajuar, nuk ka një studim fizibiliteti. Pra nuk kemi si qeveri dhe pushtet lokal informata se si do të realizohet dhe cilat janë kërkesat dhe oferta e tij, sigurisht është shumë e gjeneralizuar, kam një projekt ideor se ai çfarë mendon të bëjë. Konstatimi i fundit është se ne do e vazhdojmë procedurën e miratimit të planit urbanistik për atë pjesë dhe nëse do gjejmë investitor pas asaj do shohim cilat do të jenë kërkesat që të vazhdojmë”, tha Kasami.
Ai shtoi se investitorit italian që në këtë rast është kompania ‘TechnoAlpin’ u janë dhënë udhëzime se si duhet të vazhdojnë më tutje dhe cilat janë informatat që Qeverisë së RMV-së i duhen që të merr vendime adekuate se si do vazhdojnë procedurat më tutje
Pyetëm në Ministrinë e Transportit se kur do të japin pëlqim për këtë plan detal urbanistik, nga atje na konfirmuan se do na përgjigjen, por nga atje deri në publikimin e këtij teksti përgjigje nuk morëm.
Kujtojmë që Kasami disa herë ka dhënë afate për miratimin e planit urbanistik për Kodrën e Diellit të cilat nuk u përmbushën, në shtator 2024, në nëntor 2023, në janar 2022 dhe në programin zgjedhor 2021/25 me të cilin ai garoi në zgjedhjet lokale për Tetovën .
- LEXO: Afat i ri për premtimin e vjetër, Kasami: Muajin e ardhshëm do të jetë gati plani i ri urbanistik për Kodrën e Diellit
- LEXO: Plani urbanistik për Kodrën e Diellit nuk u miratua para Vitit të Ri siç u paralajmërua
- LEXO: Miratimi i Planit Detal Urbanistik për Kodrën e Diellit në vitin 2022 nuk u realizua siç tha Kasami
Nga ana tjetër, më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane.