Prag lufte? SHBA vret gjeneralin e forcave elite të Iranit (FOTO)

Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane në Irak. Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.

Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi.

Ai ka shpallur tri ditë zie.

Gjenerali Soleimani ka qenë figurë e rëndësishme në regjimin iranian. Forcat e tij elite, Quds, i kanë raportuar drejtpërdrejt liderit suprem Khamenei dhe ai është konsideruar si figurë historike kombëtare.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar komandantin dhe forcat e tij si terroristë dhe i ka mbajtur përgjegjës për vdekjet e qindra personave që kanë qenë pjesë e personelit amerikan.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim të Twitter ka publikuar një fotografi të flamurit amerikan, pasi është bërë i ditur lajmi.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey