Prej orësh në pritje, Fly Ernest braktis pasagjerët në Rinas (VIDEO)

Kompania ajrore Fly Ernest, pak ditë para vitit të ri, u pezullua nga Aviacioni Civil Italian me argumentin për vonesa në fluturime dhe se duhet të ishte funksionale deri më 13 janar.

Por, ajo çfarë po ndodh sot në Aeroportin e Rinasit tregon se kjo kompani vijon t’i lërë njerëzit në rrugë.

Janë afro 200 pasagjerë, të cilët kishin parashikuar të kthehen këtë të martë me këtë linjë ajrore në Itali.

Ata janë mbetur duke pritur për orë të tëra teksa ende kompania ajrore nuk u jep shpjegime se kur do të zhvillohet fluturimi i tyre.

Reagim i AAC për rastin “Ernest”

Pas njoftimit nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC) për pezullimin e licencës së kompanisë “Ernest”, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie, Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar (AAC), i dërgoi një kërkesë sqaruese ENAC dhe u informuam se për shkak të vështirësive financiare me likuiditetin e kompanisë, autoriteti italian ishte detyruar të merrte këtë vendim me shpresën se kompania, deri më datë 13 Janar 2020, do jetë në gjendje të vërtetojë garanci financiare të nevojshme për vijimin e aktivitetit.

Kompania “Ernest” nga ana e saj iu përgjigj AAC-së, se do të angazhohej në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e zhvillimit të fluturimeve të programuara deri më datë 13 janar.

Për sa më sipër, që nga momenti i njoftimit për pezullim, kompania është duke operuar me kapacitet të kufizuar në avionë dhe staf operues. Kjo situatë ka sjellë edhe anulime dhe ri-skedulime të fluturimeve, por jo deri në pikën e ndalimit total të fluturimeve.

– Duke qenë se kompania ende ka një licencë aktive nga autoriteti italian deri më dt. 13/01, pasagjerët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë dhe/ose agjencinë ku kanë prerë biletën dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.

– Nëse pasagjerët nuk e kryejnë dot fluturimin me Ernest dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, atyre u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet duke klikuar në adresën/linkun e mëposhtëm:

Refund Request Form
– Kërkesën për rimbursim duhet t’a bëjnë edhe pasagjerët që kanë prerë bileta përtej datës 13 Janar 2020.

– Është shumë e rëndësishme që pasagjerët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së.

– Në rast se kompania do dështoj t’i tregoj autoritetit Italian, aftësinë për të mbajtur të vlefshme licencën e operimit, bazuar në legjislacionin e shtetit fqinj, asaj do i duhet të zbatojë hapat e mëtejshëm sipas legjislacionit italian.

– Në lidhje me rimbursimet dhe/ose kompensimet në rast se kjo ndodh, pasagjerët këshillohen të zbatojnë udhëzimet që do të dalin në vijim nga autoriteti italian dhe/ose entitete të tjera shtetërore në vendin fqinj.

AAC është duke ndjekur situatën e kompanisë italiane “Ernest” dhe do ti kërkojë në vazhdimësi kompanisë dhe autoriteteve italiane, garantimin e respektimit të të drejtave të pasagjerëve të prekur, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie.

AAC në përputhje me legjislacionin evropian dhe shqiptar, që rregullon të drejtat e pasagjerit, në një situatë sikurse po kalon kompania italiane, do publikojë rast pas rasti informacione të përditësuara me qëllim që të ndihmojmë pasagjerët në vendimmarrjet e tyre.

Saga e talljes me shqiptarët që udhëtojnë me avionë vazhdon. Tashmë kryefjalë është kompania Fly Ernest, e cila prej tri ditësh nuk jep asnjë shpjegim ndërsa njerëzit presin në Rinas dhe në një sërë aeroportesh italiane.

Në fundin e dhjetorit të vitit 2019 kompanisë iu pezullua licenca pikërisht për faktin se ishin me dhjetëra denoncime qytetarësh për vonesa oraresh.

Edhe pse kompania asnjëherë nuk dha shpjegime publikisht në lidhje me çfarë i ka ndodhur me autoritetet që mbikëqyrin tregun e fluturimeve, problemet me vonesat kanë qenë prezent edhe ditën e fundit të udhëtimit të saktë me këtë kompani.

Ishte data 3 janar, dita e fundit kur një sërë avionësh të kësaj kompanie u ngritën nga aeroportet italiane drejt Tiranës.

Po në thuajse çdo fluturim kompania e përfolur dublohej nga një tjetër orar lëvizjeje drejt vendit tonë. Konkretisht nga Bolonja drejt Tiranës në të njëjtin orar u bë e mundur të nisej edhe një tjetër linjë fluturimi duke e detyruar këtë kompani të vonohej në veprime vetëm që të shmangte përplasjen në orare.

Por ndërsa kompanitë dhe shtetet përkatëse luajnë me pasagjerët shqiptarë, duke mos iu përgjigjur për asnjë vonesë dhe dëm që iu shkaktohet, Fly Ernest gjendet ende në telashe me klientët e vet.

Një qytetar ka denoncuar edhe para pak çastesh në televizionin Ora News për vonesat dhe faktin që nuk iu jep askush asnjë shpjegim për anulimin e fluturimeve. Ai ka thënë se janë mbi 200 pasagjerë që presin për të udhëtuar nga Tirana për në Bolonja, por thotë se kanë marrë informacion se udhëtimi është anuluar.

Sipas tij, udhëtarëve nuk i është dhënë asnjë informacion dhe se në zyrat e agjencisë nuk ka asnjë punonjës. Enti Kombëtar Civil Italian njoftoi pezullimin e aktivitetit të kompanisë ajrore “Fly Ernest” duke filluar nga data 13 janar.

ENAC i kërkon kompanisë të kompensojë udhëtarët e saj dhe nuk e lejon të lëshojë bileta të tjera. Masa e marrë mund të revokohet vetëm nëse kompania “Fly Ernest” siguron elementët e garancisë. ENAC do të vazhdojë të monitorojë kompaninë “Fly Ernest” për të mbrojtur respektimin e të drejtave të pasagjerëve.

“Fly Ernest” ndodhet në listën e zezë të ENAC vetëm që prej 29 dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, ndonëse ka patur me qindra ankesa e padi për probleme dhe dëme që iu ka shkaktuar udhëtarëve edhe më parë.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey