Presidenti bullgar, Radev: Politikanët në Maqedoni po ndërtojnë një identitet të bazuar në falsifikime

Presidenti bullgar Rumen Radev ka akuzuar sërish politikanët e Maqedonisë së Veriut për “ndërtimin e një identiteti të bazuar në falsifikim”.

“Përpjekjet e politikanëve në Maqedoninë e Veriut për të ndërtuar një identitet të bazuar në falsifikimet e Internacionales Komuniste, në vend të së vërtetës historike, janë kundër interesave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që duan anëtarësimin në BE”, tha presidenti bullgar Radev.

Presidenti bullgar iu referua edhe ngjarjeve të javës së kaluar dhe emërtimit të Qendrës Kulturore Bullgare në Manastir me emrin e revolucionarit “Ivan Mihajlov”.

“Nëse flasim për fashizëm, duhet të jetë e qartë se Ivan Mihajlov është njeriu që refuzoi Hitlerin ta futë Maqedoninë në një luftë vëllavrasëse me Bullgarinë. Jo Ivan Mihajlov, por njerëz të tjerë pas vendosjes së diktaturës jugosllave në Maqedoni, vranë dhe morën në pyetje dhjetëra mijëra në kampet e përqendrimit sepse vendosën të vazhdojnë të quhen bullgarë, jo maqedonas”, shtoi Radev.

Ministria bullgare e Punëve të Jashtme, nga ana tjetër, do të reagojë ndaj deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski lidhur me emërtimin e Qendrës Kulturore Bullgare në Manastir, ka paralajmëruar ministrja e Jashtme bullgare Teodora Gençovska, raportojnë mediat bullgare.

“Isha e befasuar nga reagimet në nivel politik, por edhe nga ato të organizatave joqeveritare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sinqerisht, ne nuk kemi ndërmend të komunikojmë përmes mediave, por MPJ-ja do të dalë me një qëndrim zyrtar”, tha Gençovska. Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski tha se delegacioni bullgar, i cili përfshinte kryeministrin Kiril Petkov dhe nënpresidenten Iliana Iotova, kishte “zgjuar shpirtrat e së kaluarës, duke rindezur gjuhën e urrejtjes dhe mosbesimit”.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey