Prokuroria është kundër riparaqitjes së provave për rastin “Tortura”

Prokuroria Publike beson se të gjitha faktet e rëndësishme janë të vërtetuara plotësisht dhe gjendja faktike është plotësisht e qartë dhe koncize, prandaj nuk propozon riparaqitjen e provave, deklaroi prokurori Lubomir Lape në procedurën e rihapur të gjykimit për rastin “Tortura”.

Rasti për arrestimin e Lube Boshkovskit, është kthyer në fazën e plotësimit të procedurës dëshmuese, pasi gjyqtarja Aleksandra Ristovska, e cila e udhëheq gjykimin për rastin “Tortura” më 17 qershor, nuk e publikoi vendimin e paralajmëruar për këtë rast me shpjegimin se gjykata nuk e kishte të qartë se çfarë veprimesh morën përsipër të akuzuarit dhe caktoi një seancë të re.

Prokurori Lape, në seancën e sotme, tha se rrethanat që gjykata i konsideron se janë të nevojshme për t’u shpjeguar më tej, për atë se cili nga të akuzuarit çfarë veprimi mori përsipër, tashmë janë të qarta dhe të përcaktuara.

“Konsideroj se të akuzuarit janë të renditur individualisht dhe se të gjithë përdorën forcë të tepërt fizike dhe e vunë para kamerës, duke ditur që është duke u filmuar dhe kështu së bashku e kanë kryer veprën”, deklaroi Lape.

Lidhur me rrethanën, cili i akuzuar dhe cilin veprim me me çfarë intensiteti e ka ndërmarrë, prokurori Lape tha se kjo shihet qartë nga video, si dhe nga dëshmitë e tre dëshmitarëve.

“Për sa i përket intensitetit të veprimeve, unë mendoj se është një kategori empirike e pamatshme, por mbetet të shihet nëse ata lanë gjurmë apo vuajtje mbi viktimën,” theksoi Lape.

Për ta përcaktuar intensitetin e vuajtjes së viktimës, sipas konventave ndërkombëtare, ai theksoi se kohëzgjatja, efektet fizike dhe shpirtërore, gjinia dhe mosha e viktimës, gjendja shëndetësore, mënyra e ekzekutimit dhe metodat e përdorura janë të rëndësishme.

“Krimi është kryer, natyrisht. Pyetja është vetëm të përcaktohet lloji dhe shuma e dënimit. Me ketë jepet përgjigje edhe për rrethanat për llojin dhe forcën dhe kërcënimin e përdorur”, deklraroi Lape.

“Ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ekspertë në fushën e psikiatrisë, mbështetur nga dëshmitë e mjekut të burgut dhe psikiatrit, si dhe dëshmia e viktimës Lube Boshkovski janë më se të mjaftueshme që kjo mënyrë e arrestimit me malretim, frikësim dhe poshtërim para kamerës shkaktoi një shkallë të lartë të vuajtjes mendore të barabartë me vdekjen e një anëtari të ngushtë të familjes”, tha Lape.

Rasti “Tortura”, në lidhje me arrestimin e Lube Boshkovskit, më 4 qershor 2011, u hap nga ish PSP-ja.

I akuzuari i parë në këtë rast është ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov dhe gjashtë anëtarë të njësisë “Alfi”.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey