Prokurorja në Maqedoni kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët: Prokurorët po sulmohen dhe ndiqen nga qeveritarët?

Prokurorja e njohur për krim të organizuar në Maqedoninë e Veriut, Vilma Ruskovska po kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët dhe nga qeveria kundër presionit të zyrtarit qeveritar Arafat Muaremi, drejtorit aktual të policisë financiare, kuadër i LSDM-së.

Ky reagim i Ruskovskës vjen pasi që Muaremi ka paralajmëruar kallëzim penal kundër saj dhe dy prokurorëve të tjerë që muajin e kaluar kontrolluan administratën e Policisë Financiare, përcjell INA.

Kryetarja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJO GOKK) Vilma Ruskovska mbrëmë përmes një fjalimi me shkrim ka kërkuar ndihmë nga ambasadat e SHBA-së dhe BE-së, qeveria dhe publiku nga, siç e quajti ajo, presioni kërcënues i një përfaqësuesi të qeverisë, gjegjësisht drejtorit të Policisë Financiare Arafat Muaremi, i cili është nën hetim, dhe që dje kërcënoi se do të ngrejë kallëzim penal kundër Ruskovskës dhe dy prokuroreve të tjera nga prokuroria.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente në vend, por edhe të gjitha institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare, mbi të gjitha Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së që të kontrollojnë njëherë e mirë të gjitha faktet dhe të sqarojnë se kush në këtë vend po e lufton krimin dhe kush po bën atë që është krim. E lus edhe prokuroren evropiane Koveshi nëse ka mundësi të vijë dhe të kontrollojë të gjitha rastet tona”, shkruan Ruskovska, e cila thotë se po hetohen rastet me dy ish-sekretarët e Qeverisë, Rashkovski dhe Zekiri, që janë në paraburgim si dhe rasti me hetimet për Muaremin.

Reagimi i kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar vjen pasi Administrata e Policisë Financiare kishte shpallur kallëzim penal kundër Ruskovskës dhe prokurorëve Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska, të cilët më 18 të muajit të kaluar e kishin kryer bastisjen në administratën e policisë financiare.

“Vilma Ruskovska nuk duhet të shkatërrojë institucionet shtetërore, të krijojë përshtypjen në publik se Policia Financiare është e korruptuar dhe nuk punon sipas ligjit, dhe në të njëjtën kohë të konsiderojë se askush nuk mund ta kontrollojë dhe vlerësojë punën e saj”, tha kreu i Policia Financiare, Arafat Muaremi në një konferencë për media.

Ai tha se bastisja ishte e njëanshme, me të vetmin qëllim që të dëmtohej reputacioni i tij, duke vënë në pikëpyetje të gjitha veprimet që ai drejtonte dhe po kryen. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey