Pse po zvarritet vendimi për rastin “Alfa”?

Gjykata e Apelit ende nuk ka sjell vendim mbi ankesën e të akuzuarit Almir Dërplanin për rastin “Alfa”, ndonëse kanë kaluar një muaj që nga mbajtja e seancës publike. Nga Apeli thonë se ende është duke u punuar mbi lëndën pasi që e njëjta është komplekse.

“Mbi lëndën po punohet dhe është në procedim e sipër. Ende nuk ka vendim për lëndën, ndërsa vendimi pritet që të merret në periudhën e ardhshme, përafërsisht nga fundi i këtij muaji ose fillimi i muajit të ardhshëm”, thonë nga Gjykata e Apelit.

Avokati Asmir Alispahiq shpreson që gjykata e shkallës së dytë në periudhë sa më të shkurtër të sjell vendim përfundimtar mbi ankesat e klientit të tij, Almir Dërplanin.

“Pritjet janë që në afat sa më të shkurtër të sillet vendim për rigjykim të lëndës dhe përfundimisht edhe të dënuarit me dënim të plotfuqishëm dhe jo të plotfuqishëm të marrin drejtësinë e merituar me lirim nga akuza ose me shfuqizim të aktakuzës”, tha Asmir Alispahiq, avokat.

Pas vendimit të Apelit, lënda dorëzohet në Gjykatën Penale. Kjo gjykatë, në bazë të ekspertizës e përgatitur në Serbi, duhet të vlerësojë nëse lënda do të rikthehet ose jo në gjykim. Javë më parë kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, bëri me dije se mbi lëndën Penalja do të veprojë menjëherë pasi lënda të arrijë nga Apeli.

“Në momentin kur do të përpilohet aktgjykimi në Gjykatën e Apelit, ne do të veprojmë pas kërkesës për përsëritjen e procedurës. Do ta procedojmë, por cili do të jetë vendimi unë nuk e di. Por, do të veprohet pas kërkesës për rigjykim, do të shqyrtohet dhe nëse ka bazë do të sjellim një vendim adekuat”, deklaroi Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale (11.05.2022).

Ekspertiza e përgatitur në Serbi konstaton se Agim Islami, i ndjeri Rexhail Qerimi dhe asnjëri nga të dënuarit e tjerë nuk janë kryerësit e veprën penale dhe se janë dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Për vrasjen e policit dhe plagosjen e dy të tjerëve në vitin 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burg të përjetshëm. Almir Derplanin ishte dënuar në mungesë dhe më pas u ekstradua në Maqedoni, ndërsa Ramadan Shakiri ishte dënuar me 9 vite burg për logjistikë.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey