Në Twitter kanë dalë numrat zyrtarë të telefonit të deputetëve të koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, me një thirrje drejtuar qytetarëve: “Thuajuni të mos e tradhtojnë popullin maqedonas”.
Një njoftim i tillë në profilin privat të njërit prej përdoruesve bëhet në prag të seancës së sotme parlamentare, ku do të shqyrtohet propozimi francez për heqjen e vetos bullgare për fillimin e negociatave me BE-në.
Nga prokuroria e Shkupit për DW thonë se janë duke ndjekur informacionet dhe nëse konstatohen elemente të veprës penale do të veprojnë sipas kompetencave ligjore, përcjell INA.
Postimi në Twitter përmban numrat e telefonit të të gjithë deputetëve të LSDM, DPTM, VMRO-Popullore, NSDP, SSM dhe një të “pavarur”.
Deputeti Goran Misovski nga NSDP theksoi për Dojçe Velle se dëmi tashmë është bërë, pasi u është cenuar privatësia dhe janë publikuar numrat zyrtarë të deputetëve që ua ka dhënë Kuvendi.
Në listë, ndonëse janë pjesë e koalicionit qeveritar, nuk figurojnë numrat e telefonit të deputetëve të LDP-së, DOM-it dhe DS-së, të cilët këto ditë shprehën publikisht mospajtimin me pjesë të propozimit francez dhe dorëzuan projekt-konkluzionet për shtimin e tij në Kuvend. (INA)