Publikohet protokolli i nënshkruar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë (DOKUMENT)

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka publikuar protokollin bilateral që u nënshkrua dje në Sofje nga ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ministrja e jashtme bullgare, Teodora Gençovska.

Nënshkrimi i këtij protokolli vjen pas miratimit të propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ministri Osmani pas kthimit në Shkup prezantoi protokollin duke theksuar se ai përbën një procesverbal mbledhjeje, ku përmes tij bëhet kontroll i asaj se çka është arritur dhe çka jo në zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy shteteve, përcjell INA.

Protokolli përfshin pesë tema, për të cilat të dy vendet duhet të ndërmarrin veprime. Pesë temat lidhen me historinë, mbështetjen për integrimin në BE, ndalimin e gjuhës së urrejtjes, pretendimet territoriale dhe rehabilitimin e viktimave të represionit nga regjimi komunist.

Protokolli thekson se të dy vendet inkurajojnë komisionin historik të përshpejtojë punën e tij dhe të arrijë rezultate të qarta. Pastaj që të dyja shtetet të marrin masa brenda dy viteve nga momenti kur komisioni historik merr një vendim për çështje të caktuara.

Protokolli thotë se në vitin 2023 dhe 2024 do të respektohen datat dhe figurat historike të dakorduara reciprokisht, por pas miratimit nga komisioni.

“Politika e politikanëve, historia e historianëve, ky ka qenë angazhimi im në të gjithë procesin dhe ashtu është formuluar në protokoll”, tha Osmani.

Në pikën që ka të bëjë me integrimet në BE, Bullgaria shpreh gatishmërinë e saj për të mbajtur konferencën e parë politike ndërkombëtare, por duke kërkuar mirëkuptim që mbledhja e dytë të mbahet atëherë kur bullgarët do të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Ministri Osmani theksoi se për herë të parë në histori në BE marrëveshja do të nënshkruhet në gjuhën maqedonase.

Tërë detajet e protokollit mund t’i gjeni duke klikuar KËTU. (deri tani i publikuar vetëm në gjuhën maqedonase)

Të martën në Bruksel do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare, e cila në fakt është faza e parë e fillimit të negociatave për anëtarësim me BE-në, pas së cilës do të fillojë “skriningu” i institucioneve. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është kusht për mbajtjen e Konferencës së dytë Ndërqeveritare dhe hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE.

Komisioni i përbashkët ndërqeveritar është pjesë e detyrimeve që dalin nga Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey