Qeveria e re bullgare mbetet në të njëjtin qëndrim ndaj Maqedonisë së Veriut

Qeveria e re bullgare e kryeministrit Kiril Petkov nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kjo nënkupton se nuk priten zhvillime pozitive dhe se vetoja greke do të ngelet aktive edhe pas takimit të sotëm të nivelit të lartë të BE-së ku pritet të konfirmohet vetoja bullgare që bllokon datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE, përcjell INA.

Në marrëveshjen e koalicionit të nënshkruar midis katër partive nënvizohet angazhimi për përmirësimin e marrëdhënieve “në një frymë konstruktive” dhe në këtë marrëveshje përshkruhen hapat që duhet të ndërmerren.

Hapi i parë është aktivizimi i punës së komisioneve dypalëshe të parashikuara në Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit nëpërmjet një kalendari takimesh mujore. Është planifikuar krijimi i komisioneve të biznesit (me pjesëmarrjen e furnitorëve dhe klientëve në secilin prej dy vendeve). Një hap tjetër është intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e transportit, duke përfshirë lidhjen direkte ajrore Sofje-Shkup, ndërtimin e Korridorit 8, mbështetjen financiare për lidhjen hekurudhore. Parashikohet intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe kulturës (kalendar i përbashkët kulturor, konferenca të përbashkëta shkencore).

Mënyra të tjera për t’iu afruar Shkupit janë: vazhdimi i punës së Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore; Bullgaria pret që autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të ofrojnë mbrojtje të përhershme kundër diskriminimit dhe të drejta të barabarta të qytetarëve me identitet bullgar në RMV si pjesë përbërëse e vlerave evropiane; shkëmbimi i arkivave të periudhës 1944-1991 me qëllim rehabilitimin e viktimave të represionit; aktivizimi i diplomacisë publike si mjet; përkrahja e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE përmes bartjes së përvojave bullgare.

Ndër prioritetet në politikën e jashtme të qeverisë së kryeministrit Kiril Petkov është thellimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët bullgarë. Gjithashtu, marrëdhëniet dypalëshe dhe lidhjet politike parashikohen në një bazë të re me Mbretërinë e Bashkuar, në koordinim me politikën e BE-së.

Ai gjithashtu vuri në dukje vazhdimin e dialogut me Rusinë në kuadrin e politikës së BE-së dhe zhvillimin e marrëdhënieve të barabarta bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, mbështetja për procesin e Minskut për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainën lindore me mjete paqësore dhe mbështetja brenda BE-së dhe NATO-s për uljen e tensioneve në rajonin e Detit të Zi do të jetë prioritet.

Deputetët e Kuvendit të Bullgarisë dje votuan Kiril Petkovin për kryeministër të ri të Bullgarisë, pas së cilës miratuan listën e ministrave, duke i dhënë fund krizës politike disamujore në vend. Në koalicionin katërpartiak, përveç partisë së Petkovit e njohur si “Vazhdon Ndryshimi (PP), janë edhe socialistët (Partia Socialiste), ITN (Ka një popull të tillë) dhe partia e qendrës së djathtë, Bullgaria Demokratike. Shefja e re e diplomacisë bullgare është Teodora Gencovska, e cila është anëtare e stafit të partisë ITN të Slavi Trifonov.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey