Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Kështu bën të ditur presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetin social facebook.
Sipas kreut të shtetit shqiptar, Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes.
“Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta” – shkruan Meta.
Sipas tij, prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë.