Ramush Haradinaj me akuza drejt MI-së: Tenderin e parë ia kanë dhënë biznesmenit me të cilin drekon Hysen Durmishi

Haradinaj me akuza drejt MI-së: Tenderin e parë ia kanë dhënë biznesmenit me të cilin drekon Hysen Durmishi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka dalë me disa dokumente për të argumentuar se si sipas tij Qeveria Kurti e ka nisur shumë keq. Haradinaj u tha kabinetit të ri qeveritar se “Ju jeni vërtetë më të korruptuar sesa krejt të tjerët që kanë qenë përpara”.

Ish-kryeministri tregoi një fotografi ku zëvendëskryeministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi është parë duke drekuar me një biznesmen, të cilit sipas Haradinajt, i është dhënë tender nga kjo ministri pasi Durmishi e kishte marrë detyrën e re, raporton Gazeta Express.

“Hysen Durmishi është këtu në një drekë pune me punëdhënësin e tij të mëhershëm para se të bëhet zëvendësministër. Po e respektoj punëdhënësin, s’po ia përmendi emrin. Ky këtu, menjëherë si ka hy në ministri, punën e parë, tenderin e parë e ka marrë kjo kompani”, tha Haradinaj.

Ai tha gjithashtu se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është punësuar një njeri që Lëvizja Vetëvendosje dikur e kishte quajtur “babai i tenderëve” dhe “kupolë e krimit”.
“Qeveria Kurti e ka nisur bukur keq me çështjen e korrupsionit…. Ky njeri sot është ministër i rendit. Ky njeri më ka marrë në pyetje si deputet për personin e quajtur Nexhat Krasniqi i cili sipas tyre është babai i tenderëve, kupola e krimit dhe dikush që vërtetë nuk bën të punojë në gjykata. Kështu ka ardhë deri te shkarkimi i tij. E me sa marrë vesh unë, Z. Nexhat Krasniqi me gjasë tash u la, u bë i mirë, është në punë te ministri Liburn Aliu dhe i kryen funksionet e veta. Pra, njeriu për të cilin një Kosovë ka dëgju, temë ka qenë, disa herë jam detyruar të japë sqarime si kryeministër. Në Qeverinë Kurti ai është rehat. Ndoshta ai është bërë i mirë, ose këta kanë ndryshu, nuk e di”, tha Haradinaj.

Paraprakisht, ai ia bëri një pyetje ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, të cilin siç u paraqit, mezi e njohu.

“Unë ia kam bërë një shkresë ministrit Peci. A është këtu, ju jeni a po? Eh. Ju kam bë një shkresë dhe kam kërkuar nga ju të na e sqaroni a mund ta paguani ratën e dytë të subvencioneve që e ka parapa qeveria e mëhershme Hoti me Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike. U prit me u kry në prill. Shumë fermerë, shumë vreshtarë po e presin ratën e dytë. Ju lutem na tregoni si do të procedohet?”, pyeti Haradinaj.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey