Reagon Asambleja e Gruas ASH: Sjellje brutale dhe e patolerueshme e deputetëve të BDI-së ndaj deputetes Ilire Dauti

Asambleja e Femrës në Aleancën për Shqiptarët ka reaguar lidhur me sjelljen e deputetëve të BDI-së gjatë seancës së mbrëmshme kur ishte penguar fjalimi i deputetes së ASH-së, Ilire Dauti.

Ja reagimi i plotë: Mbrëmë qemë dëshmitarë të një farse të pashembullt që u luajt në Kuvendin e Maqedonisë, i cili Kuvend, në vend që ta kryejë rolin e tij parësor, që është sjellja e ligjeve të dobishme për qytetarët, është bërë stërkëmbëza kryesore e prosperimit të vendit dhe arena e shkeljeve spektakulare të të drejtave të qytetarëve, sidomos të ne shqiptarëve.

E tërë energjia e deputetëve të shumicës parlamentare u vu në funksion të ndalimit të votimit të Ligjit për pakon e pestë ekonomike, duke e shpalosur sheshazi se mungon dëshira e njëmendtë, vullneti dhe paratë për zbatimin e këtij ligji, mungesë vullneti ky që për sa kohë u përpoqën t’ia mveshin opozitës shqiptare.

Tani të gjitha u panë në dritë të diellit. Mungon dëshira dhe aftësia për t’i lëvizur gjërat për së mbari. Tani kur u kërkua votimi i Ligjit nga ana e deputetes sonë, Ilire Dauti, e tërë maqineria dashakeqe u vu në shërbim të ndalimit dhe krijimit të situatave komiko-dramatike të pengesës, gjë që është tipike për funksionimin e kësaj strukture që po na përfaqëson më se njëzet vjet, e që gjithnjë ka treguar zhdërvjelltësi në destruktivet dhe pengesa të punëve të mira.

Si Asamble e Gruas, shprehim indinjatë të thellë për mënyrën si u prit fjala e deputetes së Aleancës për Shqiptarët, zonjës Ilire Dauti, njërit nga zërat më të artikuluar të përbërjes së këtij Kuvendi, në kohën kur ajo përpiqej të propozonte vënien në votim të Ligjit që u vjen në ndihmë të vogël qyetarëve tanë të prekur rëndë nga pandemia, të këtyre qytetarëve që dita-ditës po varfërohen e po zhvaten nga udhëheqja e keqe e shtetit. Fjala e zonjës Ilire, si të ishte duke fyer dikë, u prit me zhurma, trokitje, krokatje të shëmtuara që s’u ka hije të zgjedhurve të popullit, sidomos kur bëhet fjalë pikërisht për një ndihmesë të atyre që u kanë mundësuar të ulen në ato karrige. Kjo sjellje brutale, larg nga çdo xhentilencë, do të ishte e egër edhe po t’i drejtohej një gruaje që po fyen nga foltorja, e jo më një deputeteje të zellshme që përpiqej ta shpiente në fazën përfundimtare atë që ishte dashur të mbyllej qëmoti po të kishte vërtet vullnet shumica parlamentare.

Të nderuar qytetarë, kjo sjellje e deputetëve të BDI-së, sikurse edhe shumë veprime të tjera të shëmtuara në dëm të qytetarëve tanë, po e zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që mbajnë pushtetin e ne na bëjnë më këmbëngulës në luftën për të ardhmen më të mirë të shqiptarëve në këtë shtet”, thuhet në reagim.(INA)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey