Regjistrimi/ Tallava shtet, të gjithë mendojnë se janë më shumë se numrat e publikuar

Në vend jetojnë 1,836,713 banorë, nga të cilët 58,44 për qind maqedonas, 24,3 shqiptarë, 3,86 turq, 2,53 romë, 0,47 vllehë, 1,3 serbë dhe 0,87 boshnjakë, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave, që u realizua nga 5 deri më 30 shtator 2021, shkruan Zhurnal.

Numra këto të regjistrimit që kanë krijuar një dramë të vërtetë në skenën socio-politiko- ekonomike të vendit. Dhe kjo mund të vërtetohet fare lehtë nga reagimet e komuniteteve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratën me shkrim të Trupit Koordinues Kombëtar (ku përfshihen të gjitha OJQ-të turke, subjektet politike nga komuniteti turk, intelektualë të shquar turq, profesorë universiteti dhe figura të tjera me ndikim nga komuniteti turk në vend) thuhet se është mbajtur një seancë për vlerësimin e publikimeve të rezultateve nga Regjistrimi i Popullsisë, amvisërive dhe banesave 2021.

Nga aty theksojnë se shqetësimet e shprehura para dhe gjatë regjistrimit, fatkeqësisht janë konfirmuar, në deklaratë theksohet se rezultatet dhe përqindjet e publikuara nuk paraqesin pasqyrën e vërtetë të popullit turk në vend, pra se shifrat dhe përqindjet janë të nënvlerësuara.

“Pas mbledhjes së Trupit Koordinues Kombëtar për Regjistrimin e Popullit Turk në RMV, ne i vlerësojmë shifrat dhe përqindjet e publikuara për turqit në regjistrim si joreale dhe informojmë publikun se nuk i njohim e as si pranojmë rezultate”, thuhet në deklaratën me shkrim.

Trupi Koordinues Kombëtar në deklaratë shtoi gjithashtu se ka një dallim të madh midis të dhënave të tyre nga vendbanimet e ndryshme ku jetojnë turqit dhe të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH).

“Sipas fakteve të mësipërme, populli turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut në asnjë rrethanë nuk i njeh shifrat dhe përqindjet e regjistrimit”, thuhet në deklaratë.

Theksohet se në lidhje me rezultatet e regjistrimit do të shfrytëzohen maksimalisht të gjitha të drejtat ligjore dhe demokratike, si dhe e drejta për kundërshtim në periudhën e ardhshme.

Organizata rome Romalitiko deklarojnë se për shkak të palogjikshmërive të mëdha në rezultatet e regjistrimit, romët nuk do ta njohin atë.

“Fatkeqësisht, rezultatet ishin të papritura dhe zhgënjyese. Duke qenë se si bashkësi etnike jemi një nga komunitetet me rritjen më të madhe të popullsisë, është e qartë se shifrat në terren tregojnë një pasqyrë joreale. Duke pasur parasysh se jemi të angazhuar edhe në hulumtim si institucion, gjatë regjistrimit dhe para regjistrimit kemi analizuar të gjitha të dhënat për rritjen e popullsisë, fëmijët e lindur në vitin 2000 dhe vlerësimet tona sipas atyre të dhënave kanë qenë se kemi 33.000 foshnje të lindura. Ne kemi llogaritur edhe vdekshmërinë, sipas përkatësisë etnike, gjatë 20 viteve të fundit numri ka qenë rreth 8500. Në regjistrimin e fundit ishim 53-54 mijë, përllogaritjet janë që tani duhet të jemi të paktën afërsisht 70-80 mijë dhe besojmë se numri është edhe më i madh. Fatkeqësisht dje të dhënat treguan një pamje joreale”, thotë Elvis Shakiri, themeluesi i Romalitiko.

Nga Lidhja Demokratik Boshnjake thonë se rezultatet nuk pasqyrojnë realitetin.

“Të dhënat nga regjistrimi janë të papranueshme për ne sepse jemi duke punuar vazhdimisht në terren dhe e dimë gjendjen reale faktike. Kemi dëshmi personale të qytetarëve të cilët janë numëruar sipas supozimeve për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.” thonë nga Lidhja Demokratike Boshnjake.

Edhe për partitë opozitare shqiptare, regjistrimi është jo legjitim sepse, ndër të tjera, numri i shqiptarëve duhet të vijë nga numri i banorëve që janë shtetas të vendit dhe jo nga numri i banorëve rezidentë në vend.

Në këtë dramë, nuk mungojnë as maqedonasit, maqedonasit anembanë botës refuzojnë dhe mohojnë rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 të kryer nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Në kontekst tjetër, pozita dhe opozita luajnë ping pong. Pozita lavdërohet se u kry një proces vital për shtetin, që kishte dështuar disa herë dhe i njëjti është i rëndësishëm për politikbërjen në vend, ndërkaq, opozita e vlerëson si të dështuar duke u zotuar se do ta kishin organizuar më mirë dhe me shifra tjera. Polemika mes dy anëve në vend të debatit konstruktiv edhe më shumë e shton hamendjen dhe thellon konfuzionin te komunitetet e ndryshme, se kushdo që do të ishte në pushtet numrat do i bënin si duan vet. Kështu duke e zbehur jashtëzakonisht shumë kredibilitetin e institucioneve.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey