Rikthehet Serie A, sot zbresin në fushë skuadrat kryeqytetase

Kampionati italian i futbollit do të rikthehet sot me takimet e javës së 18, që janë njëkohësisht edhe ndeshjet e para për këtë vit kalendarik, teksa në fushë do të zbresin dy skuadrat e kryeqytetit, Lazio dhe Roma, që momentalisht mbajnë vendin e tretë dhe të katërt.

Kështu bardhekaltrit do të përballen me Brescian në transfertë në “Rigamonti”, në takimin që do të startojë në orën 12;30, ku në rast suksesi, do të shkonin vetëm 3 pikë larg kreut, që mbahet nga Interi dhe Juventusi.

Skuadra e Simone Inzaghit po kalon një moment të jashtëzakonshëm, me një seri rezultatesh pozitive radhazi,, që e kanë shndërruar në një pretendente për titullin, konstatim ky që u përforcua edhe me triumfin në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit.

Nga ana tjetër Brescia ka rigjetur qetësinë me Corinin në stol dhe ka filluar të mbledhë pikët që i duhen për të shmangur rënien në Serinë B dhe për të realizuar këtë objektiv, duhet që të mos dalë pa pikë përballë Lazios.

Në orën 15:00 do të luhet takimi mes Spalit dhe Veronës, sfidë që do të ketë edhe një derbi shqiptarësh brenda saj, pasi për vendasit luan titullar portieri i Kombëtares Shqiptare Etrit Berisha, ndërsa te veronezët priten nga minuta e parë mbrojtësi i kuqezinjve Kumbulla dhe ai i Kosovës Rrahmani.

Spali është në pozita të vështira në renditje pasi është e parafundit dhe ka nevojë për të marrë maksimumin veçanërisht në ndeshje të tilla në shtëpi, për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes, ndërsa Verona do provojë rikthimin te suksesi që mungon që prej 24 nëntorit.

Në orën 18:00 vëmendja do të spostohet në “Marassi”, ku Genoa do të presë Sasasuolon me synimin e vetëm marrjen e tre pikëve, pasi kuqeblutë renditen në vendin e fundit dhe duan të shmangin me patjetër rënien në Serinë B.

Para ndërrimit të viteve kuqeblutë shkarkuan trajnerin Thiago Motta, që mori vetëm një fitore në eksperiencë e tij të parë në stolin e një skuadre, duke ia besuar drejtimin Davide Nicolas, i cili do të debutojë sot, ndërsa te Genoa është rikthyer edhe sulmuesi Matias Destro.

Në mbrëmje Roma do të presë Torinon në “Olimpico”, në një takim që duhet fituar prej verdhekuqve, për të konsoliduar pozitat në zonën Champions dhe për të provuar të shqetësojnë skuadrat e kreut.

Verdhekuqtë po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe për më tepër, trajneri Fonseca nuk e ka më alarmin e dëmtimeve, ndaj shpreson që të tijtë të ingranojnë një marsh më të lartë në pjesën e dytë të sezonit, për të mos diskutuar një vend në zonën Champions.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey