RMV, pa më tepër stacione matëse nuk ka masa efektive kundër ndotjes së ajrit

Të rritet numri i stacioneve monitoruese për matjen e cilësisë së ajrit që do të ndihmojnë në lokalizimin e ndotësve, është apeli i aktivistëve civilë në vigjilje të sezonit me vlera të larta të grimcave PM 2.5 dhe PM 10. Cilësia e ajrit që e thithim mund të përmirësohet duke krijuar një hiper-rrjet pikash matëse, i cili do të na japin të dhëna të sakta se ku saktë t’i lokalizojmë burimet e ndotjes dhe në bazë të tyre të zbatojmë masa efektive, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sistemi shtetëror i monitorimit automatik për cilësinë e ajrit të ambientit, SSHMACAA, ka 18 stacione fikse monitoruese, pesë prej të cilave janë në Shkup. Përveç atyre shtetërore, rrjeti i platformës Air Care i shton edhe njëzet lokacione matëse në kryeqytet, si dhe pesëmbëdhjetë të tjera në qytete të tjera me stacione vullnetare dhe me buxhet të ulët. Ndonëse numri i tyre vetëm në Shkup është mbi tridhjetë, megjithatë, sipas Gorjan Jovanovskit, eko-aktivist dhe krijues i platformës “Ajri im”, ky numër është shumë i vogël, nëse duam të gjejmë ndotësit në mënyrë efikase dhe efektive.

“Për mendimin tim, çdo vendbanim duhet të ketë të paktën dy deri në tre stacione të shpërndara në lokacione kyçe, për të krijuar një hiper-rrjet sensorësh. Rrjeti i tillë do ta bënte shumë më të lehtë gjurmimin e ndotjes, që nga burimi e deri te shpërndarja në të gjithë qytetin. Tashmë do të mund ta mbyllim dilemën për atë se sa kontribuojnë amvisëritë në ndotjen e madhe të ajrit, sa veturat dhe sa industria”, thekson Jovanovski.

Vitin e kaluar Ministria e Mjedisit Jetësor e hapi stacionin e ri monitorues në Gjevgjeli, i cili aktualisht është i vetmi në këtë qytet. Për momentin po vazhdojnë procedurat për vendosjen e dy stacioneve të reja në Prilep dhe Berovë, qytete ku gjendja e ajrit përmes sistemit automatik shtetëror nuk është monitoruar. Nga Ministria thonë se Sistemi Shtetëror i Monitorimit aktualisht i plotëson kriteret për një numër minimal stacionesh monitorimi për parametra të ndryshëm në zonat e përcaktuara.

“Qëllimi i sistemit shtetëror të monitorimit është të monitorojë cilësinë e ajrit në zona të ndryshme përfaqësuese, gjegjësisht të ketë stacione të llojeve të ndryshme që e matin ndotjen që e gjeneron industria, trafiku dhe mjedisi urban, në çdo zonë dhe aglomerat”, njoftojnë nga Ministria dhe shtojnë se Ligji për cilësinë e ajrit të ambientit u mundëson komunave dhe qytetit të Shkupit të krijojnë një rrjet lokal për matjen dhe monitorimin e ndotjes në territorin e tyre.

Përveç lokacionit matës Llazaropole, instrumentet e të cilit janë në funksion, por për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike është i fikur, aktualisht nga të gjitha stacionet dhe instrumentet e tjera matëse ka të dhëna për cilësinë e ajrit që mund të shihen në faqen e internetit https://air.moepp.gov.mk/. Më parë ndërrimi dhe riparimi i stacioneve matëse zgjati më shumë se dy vjet, kur me para nga buxheti dhe disa projekte donatore u zëvendësuan 62 instrumente dhe u blen 28 të reja, ashtu që tani të gjitha pikat matëse janë pajisur me mundësinë për të matur grimcat PM 2.5.

Ndërkohë, kanë përfunduar matjet në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit në qytetin e Shkupit”; projekt i cili filloi vitin e kaluar në dy komunat e Shkupit, Karposh dhe Aerodrom, për të përcaktuar burimet e ndotjes. Në këto lokacione janë instaluar aparate, të cilat gjatë 12 muajve kanë grumbulluar mostra ajri 24 orë në ditë, ndërsa aktualisht, në Universitetin “Goce Dellçev”- Shtip, po bëhet analiza e të dhënave. Qëllimi është të gjenden politika efektive dhe realiste dhe masat më të përshtatshme për të ulur vlerat e larta të PM 2.5 dhe PM 10 në këto komuna.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se në bashkëpunim me ndërmarrjet publike, si edhe me komunat, janë duke punuar në një program për zgjidhjen e problemit me ndotjen e qytetit. Programi, thonë ata, përmban projekte për transport publik të shpejtë, efikas dhe ekologjik, pastrimin e të gjitha deponive të paligjshme në qytet, më shumë sipërfaqe të gjelbra dhe ndërtimin e shtigjeve për biçikleta.

Megjithatë, kryetarja e re Danela Arsovska paralajmëroi anulimin e sistemit të planifikuar BRT me të cilin supozohej se do të reduktohej trafiku i mbingarkuar në qytet si dhe ndotja nga transporti. Në vend të kësaj, Arsovska paralajmëroi blerjen e 250 autobusëve të tjerë.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey