RO/ASh-AAA gati të bashkëpunojnë në zgjedhje

Në këto zgjedhje lokale, mund të pritet bashkëpunim mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, pohon kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Po mund të prisni”, tha Mickoski.

Por nuk tregon se në cilin rreth të zgjedhjeve.

“Kini durim dhe do ta merrni vesh mënyrën e bashkëpunimit me të gjitha ato parti të cilat vlerësojnë se kjo Qeveri në Maqedoni është e korruptuar, kriminele, e drejton shtetin gabim”, shtoi Mickoski.

Bashkëpunimin nuk e përjashton as koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa. E gjersa Mickoski ende nuk zbulon se në cilin raund do të mund të shihej bashkëpunimi me opozitën shqiptare, Elmi Aziri nga Alenca për Shqiptarët, nuk e përjashton bashkëpunimin që në rrethin e parë.

“Asgjë nuk është e përjashtuar. Mund të ketë bashkëpunim edhe prej raundit të parë, pse jo?! Por momentalisht nuk mund të jap asgjë konkrete, sepse realisht nuk kemi diçka konkrete, por nuk është i përjashtuar bashkëpunimi edhe prej raundit të parë”, deklaroi Aziri.

Marrëveshjen dhe bisedimet eventuale, sipas Azirit, do t’i lehtësonte fakti se bëhet fjalë për komunat, që sipas tij, kërkojnë menaxhues të mirë, pavarësisht nga cila parti apo etni vjen. Andaj edhe koalicioni opozitar shqiptar është i interesuar të gjejnë përkrahës për kandidaturat e saj, por siç shton, gjithçka do të bëhet në bazë të programeve dhe ofertës për qytetarët. Detajet mbeten për më tej.

“Opinioni e di që ne ende nuk i kemi shpallur kandidaturat. Besojmë se deri kah mesi i muajit gusht një pjesë e procesit do të rrumbullakohet, pastaj vendimi në parti është që listat për këshilltarë të promovohen pak më andej, kah fillimi i muajit shtator, kështu që besoni momentalisht kemi punë në kuadër të strukturave brenda dhe besoj se pasi ta rrumbullakojmë këtë proces, opinioni do të jetë i njoftuar, nuk përjashtohet edhe ndonjë takim i ndonjë eksponenti të caktuar të koalicionit me eksponentë të subjekteve të mundshme koalicionuese”, tha Aziri.

Për dallim prej partive më të mëdha opozitare maqedonase dhe shqiptare, që ende duhet pritur për të kuptuar se si do t’ia bëjnë, ato të pushtetit tashmë janë marrë vesh për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Javën që po lëmë pas, kreu i LSDM-së Zoran Zaev priti në takim veç e veç kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin, atë të Besës Bilall Kasami si dhe të PDSH-së, Menduh Thaçin, me të cilët u morën vesh për mbështetje të ndërsjellë në zgjedhjet e tetorit, sidomos në rrethin e dytë.

Përndryshe sot VMRO-DPMNE-ja dhe Partia “Forca Demokratike e Romëve” konfirmuan bashkëpunimin në zgjedhjet lokale. Pritet që nga radhët e partisë së Shaban Saliu të ketë kandidatë për këshilltarë në ato komuna ku do të garojë VMRO-DPMNE-ja.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey