Sarkozi, ish-presidenti i parë francez që gjykohet për korrupsion

Nicolas Sarkozy do të bëhet ish-presidenti i parë i Francës që do të dalë para Gjykatës për korrupsion. Ai akuzohet se është përpjekur të marrë informacion të klasifikuar nga një gjykatës.

Gjyqi do të fillojë më 5 tetor të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 22 tetor, bën me dije një gjykatë në Paris, raporton The Guardian.

Ky do të jetë gjyqi i parë që do të zhvillohet ndaj Sarkozy, ndonëse ai i është nënshtruar disa hetimeve për korrupsion.

Zhak Shirak, i cili vdiq shtatorin e kaluar, ishte ish-presidenti i parë francez që doli në gjyq. Në vitin 2011, ai u shpall fajtor për përvetësim dhe keqpërdorim të fondeve publike gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Parisit.

Sarkozi, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, akuzohet se ka kërkuar të marrë, përmes avokatit të tij Thierry Herzog, informacionin e klasifikuar nga gjykatësi i atëhershëm Gilbert Azibert në vitin 2014 në lidhje me një hetim.

Që nga humbja kundër François Hollande, Sarkozi është përballur me disa akuza korrupsioni dhe parregullsi me financimin e fushatës, por të gjitha ai i ka kundërshtuar.

Tetorin e kaluar, një Gjykatë vendosi se ai duhet të gjykojë për financimin e paligjshëm të fushatës – një akuzë për të cilën ai rrezikon një vit burg ose gjobë. Prokurorët thonë se Sarkozi harxhoi gati 43 milion € në rikandidimin e tij të dështuar për President në vitin 2012 – gati dyfishin e kufirit ligjor prej 22.5 milion € – duke përdorur faturat e rreme.

Ai tha se nuk ishte në dijeni të mashtrimit nga drejtuesit e firmës së marrëdhënieve me publikun “Bygmalion”, e cila është mes 13 të tjerëve që hetohen për këtë rast.

Sarkozi gjithashtu është akuzuar se ka pranuar miliona euro nga diktatori i ndjerë libian Muammar Gaddafi gjatë fushatës së tij të parë presidenciale në 2007.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey