Seanca për gjuhën shqipe, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në shënjestër të politikës

Më 11 dhjetor është dakorduar seanca e Gjykatës Kushtetuese në të cilën do të diskutohet për Ligjin e gjuhëve. Nga aty nuk kanë dhënë shumë detaje, është informuar se pas përfundimit të seancës do të mbahet konferencë për media, ku do t’u jepen përgjigje të gjitha pyetjeve drejtuar gjykatës, shkruan Portalb.mk. Afrimi i datës së […]

dhjetor 9, 2024 - 09:00
 0  8
Seanca për gjuhën shqipe, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në shënjestër të politikës
Gjykata Kushtetuese, foto nga Ardit Ramadani, Portalb.mk

11 dhjetor është dakorduar seanca e Gjykatës Kushtetuese në të cilën do të diskutohet për Ligjin e gjuhëve. Nga aty nuk kanë dhënë shumë detaje, është informuar se pas përfundimit të seancës do të mbahet konferencë për media, ku do t’u jepen përgjigje të gjitha pyetjeve drejtuar gjykatës, shkruan Portalb.mk. Afrimi i datës së seancës po e rritë zhurmën e akterëve politik në vend rreth vendimit eventual të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Ligjit të gjuhëve.

Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti ka bërë thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi duke bërë me dije se Qeveria ka punuar dhe po punon për të tejkaluar sfidat dhe për ulje të tensioneve. Në të njejtën linjë janë edhe Arben Taravari dhe Bilall Kasami nga ky koalicion.

“Për çështjen e gjuhës shqipe ne jemi në të njejtën anë me të gjithë shqiptarët. Askush të mos ketë as dilemën më të vogël lidhur me këtë! Të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen. Për këtë jemi garantues ne, përfaqësuesit e popullit në institucione. Si Qeveri po punojmë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për problemet e krijuara e të trashëguara dhe për këtë po harmonizojmë veprimet, qëndrimet dhe orientimet me të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë shoqërorë”, ka thënë Mexhiti.

Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i Rubikonit. Kjo parti ka dalur para Gjykatës me tenda, siç thonë, “në mbrojtje të gjuhës shqipe”.

“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që më 11 dhjetor të marrë në shqyrtim kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica. BDI e konsideron këtë moment si një pikë kritike. Nëse një herë që kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas! Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme, dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Me reagim për çështjen në fjalë ka dalur edhe partia “E Majta”: “I bëjmë thirrje kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinov, që të rishqyrtojë procedurat, të ndryshohet konkluzioni vendimmarrës në përbërje të plotë për të ashtuquajturat Ligji për dygjuhësinë dhe për të siguruar funksionalitetin e Gjykatës. Gjykata duhet të vendos në bazë të drejtësisë, dhe jo në bazë të presioneve etnike dhe politike”.

Seancën e Gjykatës Kushtetuese e ka komentuar edhe kryeministri Hristijan Mickovski.

“Të mërkurën nuk do të ndodhë asgjë. Po bisedojmë me VLEN, kjo është një procedurë që është në proces. Kemi një situatë ku tani askush nuk mund të ndërhyjë në Gjykatën Kushtetuese, sepse parimi deri më tani përfundoi më 8 maj. Tema e vetme përmes së cilës BDI është e pranishme në publik është krijimi i ndasive mbi baza etnike; ata trajtojnë vetëm çështje etnike, nuk mund të imponojnë tema të tjera ose të tërheqin njerëz që t’i mbështesin. Ata u përpoqën me atë agjendën e tyre të gjelbër, por nuk ia dolën”.

Nga LSDM nuk kanë komentuar për ligjin, përpos që mbeten në qëndrimin se “destabilizimi mund të jetë si pasojë e mosbashkëpunimit të qeverisë me opozitën”. Nga atje ata kujtojnë kërkesën e tyre për mbledhje të liderëve.

Nga ana tjetër, mbi 250 intelektualë shqiptarë kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ata kërkojnë nga gjykata që mos të ndikohet politikisht.

“Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar. Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato”, thuhet në Letrën e intelektualëve.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.