S’është koha për tallje dhe injorancë ndajë pandemisë

Lirim Begzati

Qeveria, shteti, ministria, politika, është kjo një pjesë e listës së fajtorëve, sipas disave ! E fajtorëve të pandemisë, të statistikave dhe masave zyrtare të parandalimit dhe luftimit të kësaj fatkeqësie të një dimensioni botëror. Për keqardhje, edhe shumë absurditete të tjera dëgjohen këtu e aty! Kësaj i shtohen edhe krahasimet e pakrahasueshme dhe analizat “pseudo shkencore”.

E “rastësisht”, harrohet nganjëherë vetvetja, harrohet përgjegjësia individuale dhe kolektive përballë kësaj situate alarmante, përballë një realiteti i cili për me arritur në një nivel bazik të kuptueshmërisë së asaj çka është duke ndodhur nuk besohet aspak se nevojiten studime në Oxford dhe Cambridge!

Ndodhi çka ndodhi këtyre muajve të fundit; u organizuan dasma, ahengje, mbrëmje kulturore, dhe aktivitete të tjera që natyrisht nuk i shkonin përshtati parandalimit të përhapjes së pandemisë. Duhet pranuar këtë konstatim të padiskutueshëm! Mirëpo, është e panevojshme sot të shprehen kritika të njëpasnjëshme lidhur me zbutjen e masave gjatë periudhës verore. Pasi që, po të njëjtën gjë e bënë gati se të gjitha shtetet evropiane, e më gjerë. Në shtetet tjera nuk domethënë aspak se situata ishte më e mirë se sa në viset tona.

Duhet tani të shikohet realiteti i ditëve të sotme, i ditëve të ardhshme, duhet të shkohet përpara, përmes veprimeve të ndërgjegjshme, përmes ngritjes së shkallës së vetëdijesimit, në përputhje me kërkesat që dalin nga kjo situatë dramatike, dhe të cilës nuk i shkon aspak përshtati zgjimi i vonuar!
Pa mos shkuar larg me analiza dhe reflektime, mjafton që të hapen sytë dhe të kuptohet më mirë sa çka ndodhë në rrethin, në lagjen dhe në mjedisin ku jetojmë: numri i infektimeve, numri i viktimave, etj. Nuk duhet domosdoshmërish që dikush apo ndonjë i afërt i ngushtë i familjes të preket pak më drejtpërdrejt nga ky problem, për me e kuptuar pastaj se kjo nuk është “politikë”, siç thonë ato që fatkeqësisht japin se paku përshtypjen se nuk kanë kuptuar asgjë!

Institucionet dhe personeli mjekësor duhet të respektohen pa asnjëfarë rezervë. Me gjithë faktin se përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira, ata janë duke bërë një punë të mrekullueshme. Ata nuk meritojnë t’iu nënshtrohen presioneve, provokimeve të padrejta dhe akteve të tjera flagrante që i pengojnë ta ushtrojnë detyrën e tyre dhe që e denigrojnë statusin e tyre profesional.
Jo pra, nuk është koha për tallje dhe injorancë ndajë pandemisë, as për provokime të pakuptimta, për kritika boshe dhe për akte të papërgjegjshme që e rëndojnë situatën. Pasi që, fundja, të gjitha këto e kanë kuptimin e një shuplake kundrejt vetvetes, ndaj familjes së vetë, ndaj interesave të vendit dhe të popullit të vetë.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey