Shifra tronditëse në Shqipëri/ 271 persona humbën jetën nga armët dhe aksidentet

365 ditët e vitit 2019 lanë pas një numër të lartë viktimash nga armët e zjarrit, por edhe aksidentet. Në harkun kohor të 12 muajve krimi ka qenë në “lartësinë e duhur” dhe po kështu edhe aksidentet. Janë plot 271 persona që kanë humbur jetën përgjatë vitit 2019, nga të cilët 68 nga atentatet me armë, ndërsa 203 nga aksidentet rrugore në të gjithë vendin.

Viti që lamë pas nuk ishte aspak i paqtë për shqiptarët. Që në ditën e dytë të vitit 2019 krimi i dyfishtë tronditi Ballshin ku burri vrau gruan dhe kunatën. Më pas kjo ngjarje u pasua me te tjera krime për drogë, hakmarrje, përplasje bandash e motive te dobëta.

Krimi nuk kurseu as njerëzit e drejtësisë. Një avokat u ekzekutua në një lokal në Elbasan, një prokurori i bënë atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës ndërsa në Vlorë, një tjetër prokurori i hodhën makinën në erë ndërsa ishte e parkuar.

Më 22 mars të vitit që lamë pas në një lokal në Elbasan iu bë atentat avokatit të njohur Ravik Gurra, i cili humbi jetën në vend. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”.

Pista kryesore mbi të cilën po heton policia dhe prokuroria është ajo e vrasjes për shkak të detyrës pasi avokati ka mbrojtur personazhe të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe anëtarë të familjes Çapja. 9 muaj pas kësaj ngjarje policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.

Më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës iu bë atentat makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe një personazh të njohur për konfliktet e tij me pronat në zonën e gjirit të Lalzit Pëllumb Muharremi, i cili njihet edhe me emrin Rrumi. Nga breshëritë e plumbave derdhur mbi makinën e prokurorit të 3 personat që udhëtonin me të mbetën të plagosur dhe disa ditë me vonë shoferi Andi Maloku humbi jetën. Për ngjarjen në pranga momentalisht është Redjan Raja i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në këtë ngjarje. Identifikimi i tij u arrit pas analizimit të provave të grumbulluara nga grupi i hetimit në mjetin e atentatorëve i cili u gjet i braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafane.

Më 21 dhjetor në Vlorë, shumë pranë qendrës së qytetit u hodh në erë me lëndë plasëse makina e prokurorit Albert Kuliçi, ndërkohë që ishte i parkuar në rrugë. Mjeti tip “Volksëagen” pësoi dëmtime të shumta. Pista kryesore ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Albert Kuliçi është prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë dhe njihet për hetimin e një sërë dosjeve të bujshme, si ajo për tokat në bregdetin e Zvërnecit. Lidhur me ngjarjen reagoi Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, teksa për kreun e Gjykatës së Vlorës kjo ngjarje ka për qellim presionin ndaj togave të zeza për ngjarje që kanë të bëjnë kryesisht me pronat.

Në ngjarjet kriminale të këtij viti spikatën edhe vrasjet të cilat vinin si rezultat i përplasjes së bandave në disa qytete si në Shkodër, Vlorë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë.

Vlora gjatë 2019 e humbi vëmendjen e qytetit bregdetar duke u përmendur më shumë për ngjarjet kriminale sesa për turizëm. Më 12 shkurt iu bë atentat me armë zjarri 42-vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si “Çipuri’, por plumbat i morën jetën kunatit dhe shokut të tij, përkatësisht Orest Rexho dhe Arian Hasani. “Çipuri” ngeli i plagosur nga atentati, ndërkohë që aktualisht ndodhet në burg, pasi ishte në kërkim nga policia si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.

Shkodra prej kohësh nuk po gjen paqe. Më 30 mars u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali, të dy vëllezër përkatësisht 61 dhe 59 vjeç. I dyshuar kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër është Ibrahim Lici, i cili është parë në ikje e sipër me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Të përfshirë në këtë vrasje ishin edhe Arsen Stojku dhe Myslim Rama të cilët aktualisht janë në burg. Plani për ekzekutimin e vëllezërve Bilali dyshohet të jetë bërë në familjen Lici, pasi i arrestuari Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici. Vrasja e tyre erdhi si vijim i një përplasjeje të gjatë. Në muajin shtator të vitit 2018, kur u vra mbi kalë biznesmeni Arjan Ferracaku, bashkë me të ishte edhe Asmer Bilali, djali i Astrit Bilalit.

Ashpërsia e krimit ka arritur në atë nivel që nuk kursen as pragun e shtëpisë dhe as femrat. Më 21 shtator në mbrëmje kur i gjithë vendi ishte ende nën ethet e tërmetit të rënë atë pasdite, në Nikël në derë të shtëpisë iu bë atentat Mareglen Hakas, i njohur si “I forti i Niklës”. Nga breshëria e plumbave ai mbeti i plagosur ndërsa halla e tij Shpresa Basha humbi jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hasmëri, pasi Haka është arrestuar për vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2011 në Tiranë. Mareglen Haka njihet edhe për lidhjen me familjen Bami. Ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një nga eksponentët e fortë të krimit, ai që e shoqëroi për në Spitalin e Traumës pas plagosjes.

Edhe Lushnja e ka humbur qetësinë, pasi një seri vrasjesh kanë ngjallur konfliktet e bandave të dikurshme. Më 1 tetor 2019, u vra me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar në verandën e lokalit ku po pinte kafenë e mëngjesit, daja i Zamir Latifit, Besmir Hida. Menjëherë pas krimit të rëndë, dy autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet të vjedhur në Tiranë, i cili u gjet i djegur pak orë pas vrasjes. Ka dyshime se ekzekutimi është kryer nga të njëjtët persona që ekzekutuan nipin e Hidës. Për atë ngjarje ende në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të cilët janë pjesë e grupit rival të bandës së të fortit të Lushnjës, Aldo Bare.

3 muaj më vonë Lushnja do të tronditej nga një tjetër ekzekutim. Më 14 dhjetor u gjet i vrarë në lokalin e tij Enver Boriçi, 52-vjeç, ish-anëtari i bandës së Lushnjës, i njohur edhe si vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Arben Boriçi, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Droga dyshohet të jetë shkak edhe për vrasjen e 10 tetorit në Kavajë ku humbi jetën Dritan Haxholli, i cili u ekzekutua nga shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit Bledar Toçi. Ngjarja u regjistrua në banesën e 30-vjeçares Marsida Qatja. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur si pasojë e xhelozisë, ndërsa hetimet zbuluan se pas çështjes fshiheshin pazaret e drogës. Për këtë krim pas hekurave janë Bledar Toçi dhe vëllai i tij Bernard Toçi.

Më 13 dhjetor në Peqin pranë rrugës nacionale iu bë atentat Andi Zylyfi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi për të festuar festat e fundivitit me familjarët e tij. Plumbat kapën edhe shokun e tij Ardit Uruçin, i cili mundi t’i shpëtojë atentatit. Viktima është djali i hallës së Endrit Alibeaj, bosit të drogës, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Bashkë me të u eliminuan edhe kushëriri i Alibeajt, 56-vjeçari Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, 51 vjeç.

Fatkeqësisht në raportimet për vrasjet e 2019 është dashur të raportohen edhe viktima të cilët e humbën jetën pa pasur asnjë faj. Dy persona, njeri në Kavajë e tjetri në Tiranë u vranë me armë zjarri pa pasur asnjë konflikt dhe asnjë precedent penal.

Më 4 korrik në Kavajë humbi jetën si pasojë e përplasjes mes 2 grupeve kalimtari i rastit Ramazan Hasanlliu, i cili u vra sapo kishte blerë bukë. Për këtë krim pas hekurave ndodhen Eraldo Hyka, Qazim Merkja, Ardian Dedej dhe Marjus Aliu, ndërsa në arrest shtëpie është Agron Kollçaku.

Më 22 gusht në Tiranë humbi jetën i riu Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri. Ai prej ditësh punonte në vilën e familjes Kusi dhe pas një mosmarrëveshjeje për cilësinë e punimeve u vra me plumb në kokë nga Griseldo dhe Alban Kusi, të cilët pas disa muajsh iu vetëdorëzuan drejtësisë.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey