Shiti dy herë apartamentin tek ish-Blloku, vëllai i kryetares së KPA-së paditet nga biznesmeni vlonjat

Sharing is caring!

Një ndërtues pallatesh në Tiranë, i quajtur Admir Mulaj, vëllai i kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, është përfshirë në një skemë mashtrimi, duke i rrëmbyer një biznesmeni nga Vlora, shumën prej 241 mijë e 600 euro.

Admir Mulaj, rezulton të jetë pronari me aksione të plota i kompanisë së ndërtimit “Construction Management Allience-Albania”, që ka ndërtuar një pallat në ish-zonës së bllokut në Tiranë. Pikërisht ky pallat në ditët e sotme është përfunduar dhe shitur nga Admir Mulaj, por një nga kontraktuesit e tij, i është drejtuar prokurorisë dhe gjykatës së Tiranës, duke e akuzuar për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”. Nga ana tjetër Mulaj është përballur në gjykatë me një padi civile të bërë nga biznesmeni i dëmtuar Eduart Dauti, ku ky i fundit kërkon nga gjykata e Tiranës, që të detyrojë Admir Mulaj për ta njohur si pronar të apartamentit me sipërfaqe 151 m2, në katin e 15 të pallatit të ndërtuar nga shoqëria ndërtimore “Construction Management Allience-Albania”.

Biznesmeni Eduart Dauti, pretendon se ka rënë dakord dhe ka firmosur në prill 2013 një kontratë sipërmarrje me Admir Mulaj. Pikërisht në këtë kontratë, Mulaj garantonte shitjen e një apartamenti me sipërfaqe prej 151 m2 kundrejt një shumë prej 241 mijë e 600 euro. Apartamenti ndodhet në rrugën “Donika Kastrioti” në zonën e ish-bllokut, shumë pranë ambasadës Ruse në Tiranë. Kjo pagesë është kryer e plotë nga ana e biznesmenit Eduart Dauti, duke kryer një transaksion nëpërmjet një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Por koha kaloi dhe apartamenti nuk është dorëzuar tek personi që kishte kontraktuar i pari shtëpinë. Nisur nga kjo situatë Eduart Dauti, filloi të kërkojë shpjegime lidhur me dorëzimin e apartamentit për të cilin ka paguar Admir Mulaj me shumën prej 241 mijë e 600 euro. Por Mulaj jo vetëm që apartamentin nuk ka dorëzuar por njëherësh nuk pranon të kthejë dhe sasinë e eurove, të cilat i ka marrë në llogarinë e tij në muajin prill 2013.

Tashmë që të dyja palët janë përfshirë në një proces gjyqësor dhe hetimor në prokurorinë e gjykatën e Tiranës, apartamenti është shitur tek një person tjetër me një çmim tjetër. Pra një apartament është shitur dy herë, duke sjellë pasoja të rëndë për biznesmenin Eduart Dauti dhe vetë personin e dytë që ka blerë shtëpinë, pasi në muajt në vijim do lindin konflikte të tjera gjyqësore për këtë problem.

Ky nuk është rasti i parë që vëllezërit e Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përfshihen në kronika të zeza, pasi në 1 janar 2019, mesnatën e Vitit të Ri, në ambientet e shtëpisë së vëllait tjetër të Natasha Mulaj, Vladimir Mulaj, është hedhur një sasi tritoli. Nga shpërthimi i eksplozivit pati vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz. Policia dhe prokuroria nisën një hetim penal për këtë çështje, por kur po mbushen gati 1 vit nga kjo ngjarje, asnjë person nuk është identifikuar dhe arrestuar./Shqiptarja

Sharing is caring!

Loading...
shares