Shitje fiktive apartamentesh me përfitim të paligjshëm prej mbi 115 mijë eurosh, hetim ndaj një 35-vjeçari nga Shkupi
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë lëshoi Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër një personi fizik dhe një personi juridik të dyshuar për kryerjen e veprës penale të vazhdueshme – Mashtrim sipas nenit 247 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk. Pronari i raportuar i personit juridik, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore të paligjshme për […]


Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë lëshoi Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër një personi fizik dhe një personi juridik të dyshuar për kryerjen e veprës penale të vazhdueshme – Mashtrim sipas nenit 247 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Pronari i raportuar i personit juridik, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore të paligjshme për vete dhe kompaninë e tij, ka paraqitur në mënyrë të rreme fakte se po vepronte si ndërmjetës në shitjen e apartamenteve dhe automjeteve në pronësi të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar – Shkup.
I dyshuari 35-vjeçar nga Shkupi u është prezantuar dy të dëmtuarve në Kumanovë si punonjës i Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar dhe ka lidhur kontrata fiktive me ta për shitjen e supozuar të apartamenteve në Shkup dhe Ohër. Qytetarët e mashtruar i paguan atij para, një pjesë në para të gatshme dhe një pjesë në llogarinë e personit juridik, me të cilat i dyshuari përfitoi një përfitim të paligjshëm pasuror prej 115,754 eurosh.
Duke marrë parasysh se janë përmbushur bazat ligjore, prokurori publik do t’i paraqesë propozim gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Kumanovë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.