Shkarkimi i Trump/ Pasiguritë mbi dëshminë e John Bolton në Senat

Për demokratët që kërkojnë të forcojnë argumentin e tyre për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, dëshmia e John Boltonit mund të përmbysë gjithçka në favor të tyre ose të rezultojë si diçka pa vlerë.

Pasi ka kundërshtuar më parë kërkesën e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të dëshmuar, ish-këshilltari për Sigurisë Kombëtare ra dakort të hënën të dëshmojë në gjyqin e pritshëm në Senat ndaj zotit Trump, nëse thirret si dëshmitar. Kjo duket se i ka dhënë demokratëve një fitore në përpjekjen e tyre që njerëz të afër të presidentit të dëshmojnë lidhur me ngjarjet në qendër të procesit që synon shkarkimin e tij.

Megjithatë zoti Bolton mbetet një “kartë” e pasigurt për demokratët. Ekspertët thonë se ka ende shumë paqartësi nëse informacioni që ai mund të sigurojë gjatë gjykimit do t’i japë një shtysë opinionit publik apo do të bindë republikanët të votojnë për largimin e zotit Trump. Demokratët janë në pakicë në Senat dhe për largimin nga detyra të presidentit nevojitet një shumicë prej tre të pestash.

“Demokratët duhet të marrin përsipër rrezikun që ta vendosin atë (Boltonin) para kamerës e potencialisht ai të mos thonë asgjë të rëndësishme, gjë që në thelb do ta vinte në rrezik çështjen e tyre”, thotë Casey Burgat e organizatës kërkimore “R Street Institute”.

“Ne nuk e dimë se çfarë drejtimi do të marrë kjo çështje”, thotë ajo.

Ish-prokurori federal Hans von Spakovsky thotë se dëshmia e zotit Bolton mund ta shfajësonte presidentin.

“Mendoj se ky mund të jetë vërtet një rrezik i madh për demokratët dhe çështjen që ata janë përpjekur të ngrejnë sepse ai mund të ofrojë një dëshmi që ndihmon në shfajësimin e presidentit dhe nuk ndihmon në asnjë mënyrë çështjen e demokratëve”, thotë zoti von Spakovsky, i “Heritage Foundation”.

Muajin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve votoi sipas linjave partiake për ngritjen zytarisht të akuzave ndaj zotit Trump për shpërdorim detyre e pengim të drejtësisë, duke e bërë atë presidentin e tretë në historinë e vendit që përballet me kërcënimin e largimit nga detyra. Sipas akuzave dyshohet se zoti Trump u përpoq të nxiste Ukrainën që të hetojë një nga kundërshtarët e tij politikë, ish-Nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden e se më pas u përpoq të pengojë hetimet e Kongresit mbi këtë çështje.

Përpjekjet për nisjen e një procesi gjykimi në Senat kanë ngecur që prej votimit historik në Dhomën e Përfaqësuesve më 18 dhjetor, në kushtet kur kryetarja e kësaj dhome Nancy Pelosi ka refuzuar të dërgojë akuzat në Senat derisa republikanët të angazhohen për sjelljen e dëshmitarëve.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell tha të martën se ai i ka votat për të nisur gjykimin edhe pa një marrëveshje me demokratët mbi çështjen e dëshmitarëve. Por zonja Pelosi nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqjeje nga pozicioni i saj.

Ngërçi në Kongres vjen në mesin e një krize ndërkombëtare të nxitur nga vdekja e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani më 3 janar pas një sulmi amerikan si përgjigje ndaj qasjes agresive të Iranit ndaj interesave amerikane. Ndërsa kriza me Iranin ka motivuar disa republikanë që të dyfishojnë sulmet ndaj demokratëve kundër shkarkimit të Presidentit, demokratët këmbëngulin se dy çështjet duhen trajtuar si të ndara.

Zoti Bolton është në mesin e disa zyrtarëve të administratës aktuale dhe të dikurshëm, që demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk ishin në gjendje t’i bindnin të dëshmonin gjatë hetimeve që kryen përpara ngritjes së akuzave.

Ndërsa nuk e dinë saktësisht se çfarë mund të thotë zoti Bolton, demokratët janë bërë kurioz nga një pohim i avokatit të tij në muajin nëntor, se zoti Bolton ka njohuri për “shumë takime e biseda të rëndësishme” që lidhen me hetimet për shkarkimin e presidentit.

Zoti Bolton është profili më i lartë në mesin e katër dëshmitarëve që demokratët duan të dëshmojnë gjatë gjykimit në Senatit të zotit Trump. Tre të tjerët janë shefi në detyrë i Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë Mick Mulvaney, këshilltari i lartë i zotit Mulvaney, Robert Bler si dhe një zyrtar i lartë i zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit Michael Duffy.

Zoti Bolton ka shërbyer si këshilltar për Sigurisë Kombëtare për zotin Trump nga muaji prill 2018 deri në shtator 2019-s. Muajt e tij të fundit të tij në Shtëpinë e Bardhë përkuan me ngjarjet që çuan në ngritjen e akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit./VOA

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey