Shkodra dhe Vora, kush e qeveris Pushtetin Lokal?! 

Sharing is caring!

Vetëm dy nga 61 bashkitë e vendit janë pa administratorë të rinj, të zgjedhur në 30 qershor. Dhe kjo jo për faktin se nuk u zhvilluan zgjedhje, por se dy kryetarët e votuar kishin “njollë” në të kaluarën e tyre.

Shkodra, bashkia më e madhe në rajonin verior të vendit zhvilloi zgjedhje si pjesa tjetër e vendit në 30 qershor. Aty kandidoi një prej emrave që iu servir kryeministrit Rama si “djale shkodre” dhe me mjaft reputacion.

Valdrin Pjetri ishte emri për kryetarin e ri që do të sfidonte Voltana Ademin, pavarësisht se partia e saj nuk hyri në zgjedhje. Kjo e favorizoi edhe Partinë Socialiste, e cila pas afro tre dekadash do të merrte drejtimin e pushtetit lokal në Shkodër.

Valdrin Pjetri kishte gabuar rëndë dhe në formularin e dekriminalizimit nuk kishte shkruar për problemet e dikurshme në Itali, kur ishte student. Këmbëngulja e opozitës bëri që ai të japë dorëheqjen, duke e lënë Shkodrën në mëshirë të fatit.

Dhe prej asaj dite Shkodra nuk është as me kryetar dhe as pa kryetar. Sepse, Voltana Ademi shkon çdo ditë në zyrë, por pa mandat. Në 7 gusht asaj i ka përfunduar mandati kushtetues, çka do të thotë se nuk ka asnjë të drejtë të ushtrojë kompetencat e kryetarit, as të firmosë. Por nga ana tjetër i zgjedhuri socialist dha dorëheqjen, duke e lënë Shkodrën pa qeveri lokale, ose e thënë ndryshe në një kaos total.

E sikur të mos mjaftonte kjo, në Vorë sërish ky problem. Por nëse në rastin e Shkodrës i zgjedhuri i 30 qershorit nuk u betua, në bashkinë afër metropolit shqiptar, Agim Kajmaku u betua, mori detyrën, përzgjodhi dhe staf.

Por edhe ky kishte gabuar. Mungesa e deklarimit të një dënimi në Greqi në formularin e dekriminalizimit e penalizoi aq keq, sa jo vetëm që KQZ e shkarkoi, por tashmë është edhe në listën e më të kërkuarve.

Pra, dy bashki pa kryetarë. Dhe më e keqja. Në situatën aktuale politike në të cilën ndodhet vendi, askush e aq më pak presidenti nuk e ka mendjen tek zgjedhjet. Domethënë të dekretojë datë zgjedhjesh të pjesshme për Shkodrën dhe Vorën.

Sharing is caring!

Loading...
shares