Shoferi dispononte video sekrete për kryebashkiakun Fatos Tushe! (DETAJE)

Policia është ende në kërkim të 45 vjeçarit Gëzim Saraçi. Mëngjesin e 31 dhjetorit ai i hodhi në zyrë një granatë dore kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe.

Top Channel ka mësuar se si kanë rrjedhur ngjarjet. Në orën 8 e 15 minuta në ambjentet e bashkisë së Lushnjes ka hyrë ish shoferi i kryebashkiakut. Për shkak të njohjes dhe miqësisë që ai ka patur me kryebashkiakun nuk është ndaluar nga rojet dhe as nga sekretarja të cilës i ka thënë që mos lejojë të hyjë askush në zyrën e Tushes për sa kohë është ai.

Pas disa minutash në zyrën e kryebashkiakut dëgjohen zëra të fortë ndërsa kishte nisur një konflikt verbal. Sekretarja Erisa Qalliu ka hapur derën e zyrës për të parë çfarë po ndodhte, ndërsa Gëzim Saraçi, ka hequr siguresën e granatës dhe e ka hedhur atë.

Për pasojë nga shpërthimi, sekretarja është dëmtuar më shumë, ndërsa kryebashkiaku është më lehtë. Të dy janë dërguar në spitalin Ushtarak, por pas kurimit të parë Tushe ka dalë prej andej ndërsa sekretarja po trajtohet

Por përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë e paprecedentë? Nga burime brenda bashkisë thuhet se konflikti ka lindur në vitin 2017 kur kryebashkiaku e largoi nga puna ish shoferin e tij pasi thuhet se kishte marrë sinjalizime për shfrytëzim të pozitës së tij nga ana e shoferit përballë bizneseve.

Megjithatë ish shoferi vijonte të ishte në borderotë e bashkisë së Lushnjes. Sipas dëshmive thuhet se ish shoferi vazhdimisht përplasej me kryebashkiakun, duke e shantazhuar me ekzistencën e videove që kërcënonte se do t’i bënte publike.

Por nga rrjedhja e ngjarjeve tregon se Tushe ka refuzuar që të bëhet viktimë e shantazhit duke sjellë edhe reagimin ekstrem të ish shoferit të tij. Ndërkohë policia ka marrë të gjitha provat, përfshi edhe pamjet e kamerave të sigurisë në bashkinë e Lushnjes si dhe ka marrë në pyetje punonjësit.

Ndërkohë që po shikohet edhe dosja penale e personit në kërkim. Ai mendohet se ka një të kaluar problematike gjatë kohës kur ka jetuar në Itali. Sipas Partisë Demokratike autori i ngjarjes është një trafikant droge dhe prostitucioni i cili ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes./Top Channel

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey