SHPËTIMTARËT

Nga Sermet SULEJMANI

Hashep Gazepi po priste i vetëm në stacionin e autobusëve, aty pranë spitalit të qytetit të Kumanovës. U ndala ta merrja. Ai hyri brenda në makinë duke e tundur kokën sa nga e djathta në të majtën me dorën në mjekërr, sikur po shkulte qimet e saj. Nuk priti gjatë dhe m’u drejtua: – ‘’Puuu, na koritën, na i mori fytyrën…’’ Fytyra e Hashepit kishte marrë ngjyrë dylli, prandaj u çudita kur e pashë, mendova se i kishte ndodhur ndonjë e keqe e papritur.

Çudi, as më përshëndeti por vazhdoi të përsërite të njejtën fjali: ‘’Puu, paa, na koriti, na fëlliqi!’’ – Kush, o shoku? – ‘’Të kam thënë njëqind herë, mos më thirr ‘’shok’’ se s’jam komunist!’’ – Më fal, zoti Hashep , se nuk e pata me të keq. Meqë ra fjala, ku je nisur ashtu? – ‘’E, ç’është kjo pyetje?’’ E pashë fytyrën e Hashepit se si po vrerosej dhe s’e zgjata pyetjen. – Më fal se… edhe unë ndonjëherë ia fus kot… Jam nisur të konkuroj për punë në një shkollë të mesme… – ‘’Mos more, ani edhe 2021 –n, më luake ilegalen, a!

Po pse s’më thua që edhe ti je nisur tek zyrat e Zelkefisë që poi a zgjatë jetën kësaj qeveri. Mos më bëj figura e të luash tarapança me mua. Ti kujton se unë i përkrah këto lojëra të fëlliqura të Zajko Kukurajkos, që saherë ta ketë ngushtë, çdoherë kurdisin shfaqeje ‘’po hyj, s’po hyj’’ e broçkulla të tilla?!

Në këtë shtet, zotërote, vakitë pordhin pa-pardon, ndodhin çdo tri ditë… por kësaj here, edhe Zekiri i Feratit me një deputet e ka kuptuar ‘teatrin’ e dy partive të mëdha. Duket ashiqare një teatër absurd që selinë e ka në Shtëpinë e Bardhë dhe e cila po mbledh kuturu aktorë diletant për të mbetur përsëri në pushtet. Merre me mend, ore mik, në muajin e mbjelljes së fidaneve, këta përpiqen të na kurdisin mbjelljen ‘’hekurishteve’’ në trajta euroatlantike, kjo si një prelud i hedhjes së sakrificës individuale, për antarësimin të për në BE.. Këtë gjë e kanë kuptuar edhe fëmijët e fshatit tim, e lëre më qytetarët e dy anëve të Vardarit se kjo po bëhet për shkak ‘pjesës së poshtme të shpinës’ të Zelkefisë. Majc! S’jemi më gomerë si para 20 viteve që ta hamë atë kashtë’’!…

Bashkudhëtari im Hashep Gazepi më tregoi me gisht nga dritarja e makinës time, vendin ku do të zbriste. Hashepi zbriti me avash me shtëllungën e cigares së tij kaçak aty në një cep të rrugës e cila të çonte në Serovë të Çairit. U ndamë pa u përshëndetur përsëri. Të nesërmën u takuam me Hashepin pa gdhirë tek kafeneja ‘’Palma’’ në bulevardin ‘’Xhon Kenedi’’. Akoma pa u ulur u zbraz me të shara: ‘’Na poshtëroi, na bëri për dy para… Kam tridhjet vjet që merrem me politikë – tha, – po këtë pisllëk s’e kam parë e as dëgjuar ndonjëherë. Paska qenë mjeshtër i vërtetë i lojës dhe kurdisjes politike. Pa-pa-pa, po maskara i ndyrë që paska qenë! Dëgjo, mik, ik në shtëpi se në këtë shtet gjithçka ishte e kurdisur në zyrat e ‘ekipeve rivale’ ku po thurrej lloj – lloj skenari e sajese, që nga ‘blerja e arbitrave’ e deri tek aktorët e kontrolluar që shfaqja të duket sa më bindëse në opinion si e vërtetë, krejt me qëllim, që Zelkifia të hyjë në pushtet… Sapo dëgjova Zelkefinë të thoshte: ‘Jemi marrë vesht që hyrja jonë në qeveri bëhet për ta shpëtuar atdheun nga rreziku që i kanoset asaj nga tollumbat e armiqve të jashtëm’, por s’është çudi edhe të plasë ndonjë sherr i paparashikuar. S’ju dihet Zajkos. Dëgjo shoku, edhe një herë po të lus t’ia mbathësh në shtëpi se këtu po luhej bixhoz me politikë dhe e gjitha kjo gjurulldi po bëhej për bastet.

Para të mëdha po futeshin nëpër bastore… more vesht? Ik!’’… Atë natë, vërtetë ndodhi ajo që ‘’dërdëlliste’’ Hashepi, kafenetë dhe bastoret e qytetit qenë të mbushur plot e përplot me bastexhinj që fusnin paratë dhe pasuritë e tyre si kurrë më parë. Flakë e tym po dilte nga lokalet dhe bastoret e qytetit. Basti ishte i shjeshtë: a do të hynte Alternativa në qeveri apo jo! Duhej vetëm të përcillje koeficientin e madh që kishte mundësia e hyrjes në qeveri. Dhe kaq. Njerëzit të uritur për para donin të pasuroheshin brenda natës, saqë i madh i vogël, burra e gra, zhurmaxhinj e bastexhinj, mizivirxhinj e sehirxhinj, pazarxhinj e bozaxhinj, të gjithë po rendnin të shisnin ç’kishin kursyer njëzet vitet e fundit. Bile kishte edhe nga ata, ra fjala për një farë Refiku nga Dizhoni, një i afërt i Afrim Gashit që u thoshte simpatizantëve të vetë: ‘’O shitni makinat tuaja e futjani 100 mijëshin ‘’hyrjes në qeveri’’ se sapo më errdhi informata se Zelqefia bashkë me shokët në këto momente i paskën hedhur dackat e fundit të hyrjes në qeveri, mu si letra shkrimi!’’

Turma brohoriti me tifozllëk: Urr-aaa, urr-aaa! … – ‘’Deri në këtë çaste, shokë dhe shoqe, çdo gjë po shkon si hallva… Shkruani e mbajeni në mend këtë gjë, se unë vetëm një herë e them: – rezultati i pjesës së parë do të jetë një me zero për ne! A e kuptuat?’’ … Turma e simpatizantëve u përgjigj: – Jooo… Për-së-rite! – ‘’O futjani ‘’1’’(njësh) tiketës për pjesën e parë, o gjinihalla, se ne u futëm në qeveri! Kush dëshiron fitime edhe më të majmë, atëherë shiteni shtëpitë dhe makinat e komshive… – ‘’Çfa-rë-ë-ë! Ore vëlla, – iu drejtua Hashepit një plak me mustaqe të bardha deri tek veshi. – ‘’njësh’’ për kend se më çmendën këta?! O kam shitur tezgën e tregut me të gjitha zarzavatet e më mori djalli me të gjitha? Pashë zotin, më trego edhe një herë, ose ja, merre këtë letër të mallkuar e mbushma ti se mbarova!’’ – ‘’Po’’ për ‘’moshyrjen në qeveri’’, ore xhaxha, a?! – ‘’Po, po, për moshyrje të Alternativës në qeveri, se boll u bë, ore djalë!?’’ – Ore, xha, ik shko ktheje tezgën prapa se të paskan hipnotizuar këta sehirbazë? – ‘’Më, më… paskan, çfarë? Më paskën hyp…!’’ – Po, po, xha… pikërisht ashtu, ‘’të kan hipur, edhe atë, mirë… – ‘’Eeuu… be nanën e… e ku ta gjej se…’’

Pak më largë nga ky dialog i nxehtë i Hashepit me plakun e gjorë, ‘’sekserët’’ e basteve politike po vazhdonin të ulurinin: – ‘’Dëgjoni vëllezër, sapo m’a vërtetoi Gashi im, loçkën ja hëngsha, se ‘’i ka vdekur nëna kësaj pune’’, ta dini se i ka vdekur! Te ai s’ka ‘’tërta-mërta’’, plako. Po tha ai se toka sillet rreth hënës e jo hëna rreth tokës, kjo ka për të ndodhë si një plus një që bëjnë dy, prandaj edhe sikur të zgjohet nga varri, ai, Gulile Gulileu e ta kundërshtojë Afrimin, kot e ka. Ju mund të thoni; se ku mund të ndryshohen ligjet e natyrës? Epo, Afrimi është magjistarë be… – ‘’A-a-a, jo, – e dredhi zërin plaku me mustaqe të bardha, – këto punë janë të zotit e jo të atij ‘’afrimit’’ tënd, more buzënjomë. Allahu është i madh dhe vetëm Ai e ka në dorë këtë punë. More vesh, more mashtrues!’’ … U dëgjuan disa ‘’Uuaa, uuaaa’’!… I njohuri i Afrimit u shtang nga kjo pakënaqësi e papritur sa s’e kuptoi ç’po ndodhte, andaj nxori një celular sa një fletore dhe filloi të flasë me të: – ‘’Alo-alo, po thuaj diçka Afrim, se këtu u bënë të padurueshëm edhe… a, thua i hoqën edhe dackat e fundit?… Pooo.. po… Atëherë t’ia fus 100 mijëshin, Afrim, njëqind karatëshi im i dashur!… Vërtetë, thuaj…?! Mos ore… mirë, mir, hajt mos e zgjat më shumë se u harxhove në telefon… Hajt… mpuc, mpuc…! … Përsëri u dëgjua ky zë i ngjirur: – ‘’ Ndëgjoni, o njerëz të mire, e mos e dëgjoni këtë plak të opozitës se ç’flet, po nxitoni e shiteni shtëpitë me gjithë orenditë në të se fitimin e keni të garantuar… Ç’prisni!?… O ju kemi thënë se do të hyjmë, këtu s’ka hajgare…’’ Përsëri u dëgjuan brohorimat: ‘’Uarr-aaa! Urr-aaa për Gashin!’’

Kjo britmë kësaj here u shoqërua me një zë të Zejdit, sa kumboi dhe u dëgjua në të dyja anët e Vardarit, ndërkaq mileti u shpërnda me shpejtësi drite rrugëve për tek bastoret më të afërta. Aty ka mesnata, Hashepi s’lëvizi nga vendi, siç nuk lëvizi edhe atëherë kur gjylet e topit shkundnin Sllupçanin e ia mbathën nga ofanziva e majit në frontin tek Bunari i Behës. Po rrinte i qetë e shikonte tendat e mbetura bosh, kur iu afrua një djalë rreth tridhjetave i cili po e shikonte i habitur Hashepin që kishte mbetur fikall i vetëm, i habitur duke e pyetur: – ‘’Ore mik, a s’më thua, ç’është ky kiamet që po ndodh? Ç’po ndodh me këta njerëz? Mos është çmendur i gjithë qyteti?!’’ – Ha, ha, ha…edhe mundet. Çfarë s’bën vaki kur për një budalla që u thotë të shesin shtëpitë për baste ‘’hyrjesh’’!… – ‘’Bo, bo, bo, thua… të jetë e vërtetë kjo?! Po a shiten be shtëpitë për kumar!’’… Shiten –shiten, kur të ikin mendët mbi hava! … Në mesnatë, kur gjithçka kishte marrë fund shfaqja për ‘hyrjen apo moshyrjen’ në qeveri, desha ta pyesja Hashepin se ç’kishte ndodhur me njerëzit e shumtë që pas mesnatës ikën të gëzuar dhe me vrap si të kishte plasur ndonjë zbritje e madhe e çmimeve në ‘’Ramstor’’, po më erdhi turp. Hashepi u ul në kolltukun e makinës i skuqur si një mollë Prespe, ndërkohë që përsëri po shkulte qimet e mjekrrës së tij dhe përsëriste të njëjtat fjali kur u nisëm për në Shkup: – ‘’Na koriti ky Gashi, na e morën fytyrën!’’… Sakaq ai qe i shtangur si një skulpturë mermeri e s’po lëvizte vendit ngaqë e dinte se do ‘’luhej’’ pjesa e dytë’’ e shfaqjes së këtij ‘’teatri absurd’’ që pritej të ndodhte në të ardhmën e afërt. Nga dritarja e makinës shihej zjarri dhe tendat e zbrazura të bastores, që akoma qëndronin njerëz që e prisnin… ç’do të ndodhte…sigurisht në raundin e dytë…

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey