Shqipja s’ka emër në Maqedoni

Një bankë në pjesën qendrore të Shkupit derisa kishte radhitur gati 10 gjuhë të huaja për të reklamuar aktivitetin e saj, gjuha shqipe nuk vërehej askund, dhe me këtë krijohet një përshtypje paradoksale se sa vlen apo ka emër gjuha jonë. Por, kështu ndodhë edhe në institucionet shtetërore, bizneset private të komunitetit maqedonas, shoqatat e fushatat, aktivitetet e ndryshme, ku gjuha shqipe nuk gjen trajtim për shkak të ngarkesave dhe motiveve të ndryshme nacionale dhe etnike. Kjo është ajo pasqyrë se si trajtohet gjuha shqipe, e cila në bazë të një copë ligji të cunguar, është zyrtare, por që deri tani asnjëherë nuk u trajtua si e tillë.

Sllavomaqedonasit në vend se të mbështeten mbi kodin e komunikimit masiv nëpërmjet gjuhëve, ata ende udhëhiqen nga tendencat diskriminuese. Një ligj i miratuar i cunguar me një marrëveshje politike mes partnerëve aktual të koalicionit, ka koklavitur edhe më shumë problemet duke u nisur nga qytetari më i thjeshtë shqiptarë i këtij vendi.

Dhe shteti i dominuar nga shumica ka si bazë mentalitetin e egër sllavomaqedonas, që është ende larg vlerave demokratike evropiane, të cilat vlerësojnë dhe kontribuojnë në kulturat e vendeve anëtare duke respektuar diversitetin e tyre kombëtar dhe rajonal.

Përderisa Evropa e gjen pasurinë e saj tek shumëllojshmëria e trashëgimisë si edhe në zotësinë për të mbledhur në gjirin e saj shtete me gjuhë, kultura dhe tradita të ndryshme, Maqedonia e papërcaktuar dhe e ç’thurur në çdo pikëpamje të shtetëformësisë, ndjek trendet e diskriminimit dhe nacional-romantizmit të heshtur ballkanik. Padyshim që gjuhët mund të trajtohen si mënyra perfekte komunikimi, të cilat arrijnë të bashkojnë dhe të krijojnë një mozaik të kultivimit të vlerave të përbashkëta.

Evropa me 24 tre gjuhë zyrtare, cilat janë arsyet?

Të përkushtuar për integrimin në mes shteteve anëtare, BE-ja në mënyrë proaktive promovon lirinë e qytetarëve të saj që të flasin dhe të shkruajnë në gjuhën e tyre. Respekti për diversitetin gjuhësor dhe kulturor është mishëruar në Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore të miratuar nga liderët e BE-së në vitin 2000. Ajo nuk mbulon vetëm 243 gjuhët zyrtare të Unionit, por edhe shumë gjuhë regjionale dhe të pakicave që fliten në segmente të popullsisë së saj.

Por çfarë bëjnë maqedonasit, ku është dallimi, a është e vështirë për të gjetur arsyet se pse Bashkimi Evropian ka nevojë për 24 gjuhë zyrtare, e Maqedonia nuk është në gjendje të zyrtarizojë gjuhën e popullit etnik i cili përbën mbi 25 për qind të popullsisë apo ma shumë. Arsyet nuk janë vështirë për tu gjetur, ato janë: demokracia, transparenca dhe e drejta për të ditur, të cilat mentaliteti maqedonas nuk dëshiron t’i pranojnë.

Si është e mundur që Bashkimi Evropian legjislacionin e miratuar e boton dhe vë në dispozicion në 25 gjuhë zyrtare, ndërkaq përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni këtë të drejtë akoma e kanë të mohuar?! Pse edhe Maqedonia nuk respekton parimin themelor të BE që të gjithë qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të zgjedhur t’u ofrojë mundësinë të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre kombëtare?! Në Evropë nuk mund të ketë standarde të dyfishta sikur tek ne, në mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve. Anëtarët bullgarë ose grek të Parlamentit Evropian janë në gjendje të flasin në emër të zgjedhësve të tyre në të njëjtën mënyrë si një anëtare nga Gjermania Britania apo Franca.

Përpos vendeve të Bashkimit Evropian ne kemi edhe raste tjera në rajon, ku edhe gjuhët e pakicave janë zyrtarizuar. Ligji i Gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Kosovës, gjuhën e komunitetin serb i cili përbën vetëm 6 për qind të popullsisë e ka përcaktuar si gjuhë zyrtare. Për veç në nivelin qendror, ky ligj si gjuhë zyrtare i llogaritë edhe gjuhët e popujve të cilët përbëjnë më shumë se 3 për qind të popullsisë në komunat e shtetit të Kosovës, pra në nivelin lokal. Ky ligj parasheh edhe shumë beneficione për pakicat kombëtare në shtet.

Janë shembuj dhe argumente para të cilave do të dorëzohet secili, por pse maqedonasit janë aq kokë fortë, çfarë u pengon gjuha shqipe, çfarë u pengojnë shqiptarët. Si do të sillet Evropa ndaj këtij paradoksi, a do ta pranoj këtë shtet shtypës të dhunshëm, me mentalitet të kalbur në BE. Përgjigjen besoje e din secili, por mundet edhe të çuditemi apo befasohemi.

Muhamer Pajaziti (Shkrim i botuar në vitin 2010, por që vlenë edhe sot)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey