Shqiptarët në Ligën e Europës/ Strakosha shtrëngon dhëmbët, Xhaka udhëheq Bazelin

Sharing is caring!

Thomas Strakosha është më i fortë edhe sesa dhimbjet. Portieri shqiptar i Lacios, i cili kishte dalë nga ndeshja e fundit në kampionat me një ënjtje në njërin prej bërrylave, ka vendosur që të shtrëngojë dhëmbët dhe të jetë nga minuta e parë në fushën e lojës, për transfertën shumë të vështirë me të cilën italianët do të përballen mbrëmjen e sotme.

“Gardiani” i Kombëtares sonë nuk ka dashur që ta “dënojë” Lacion për duelin e sotëm në stadiumin e frikshëm të Sëlltikut, në Skoci, teksa edhe portieri i dytë, Proto, pati ndrydhur kyçin e djathtë të dorës dhe nuk ishte në gjendje të luante prej dhimbjeve. Për ndeshjen e sotme trajneri Inzagi, përveç Strakoshës ka thirrur edhe një tjetër portier shqiptar, bëhet fjalë për Marko Alia.

Por Strakosha, duke parë këtë emergjencë edhe të zëvendësit të tij, ka vendosur që të kryejë një dopiostërvitje, jo vetëm me trajnerin personal të portierëve, Grixhoni, por ka dashur që të marrë pjesë edhe në ndeshjen brenda familjes, e zhvilluar pasdite, duke treguar se është më i fortë edhe sesa ky shqetësim fizik dhe ka treguar një formë mjaft të mirë.

Në mbrëmje, së bashku me të grumbulluarit e tjerë të skuadrës, Strakosha është ngjitur në avionin e vënë në dispozicion nga Lacio dhe ka shkelur tokën skoceze, ku sot në mbrëmje, në orën 21:00, do ta presë sigurisht një atmosferë shumë e zjarrtë, siç garanton përherë “Celtic Park”, ndonëse portieri shqiptar është gati që ta ndihmojë sërish skuadrën e tij, e cila pas dy ndeshjeve të para numëron vetëm 3 pikë në Grupin E.

Tjetër protagonist i Kombëtares së Shqipërisë, në javën e tretë të Ligës së Europës, do të jetë edhe Taulant Xhaka. “Motori” i mesfushës së Bazelit si dhe lideri i repartit të formacionit zviceran do të udhëheqë Bazelin në transfertën delikate kundër Getafes, e cila kryeson Grupin C me pikë të plota pas dy ndeshjeve, ndërsa Xhaka me shokë mbrojnë vendin e dytë me 4 pikë.

Për sa u përket lojtarëve të tjerë me gjak shqiptar që ka në formacion Bazeli, pritet që të jetë Kemal Ademi bomberi i vetëm në repartin e avancuar, ndërsa Edon Zhegrova, të paktën sipas lajmeve të fundit që vijnë nga helvetët, pritet ta nisë nga stoli.

Anësori ofensiv i Kombëtares së Kosovës ndoshta mund të jetë një “armë” më shumë gjatë lojës në vazhdim, pasi ndaj Getafes pritet një duel që mund të vendosë shumë mbi të ardhmen e grupit dhe kualifikimit.

Sharing is caring!

Loading...
shares