Shqiptari gjendet i pajetë në qeli, në Londër kërkohen hetime

29-vjeçari Liridon Saliuka është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Belmarsh-it, në Londër.

Ka debate të forta përsa i përket klasifikimit të viktimës si person me aftësi të kufizuara. Viktima është lindur në Kosovë por kishte marrë pasaportën Britanike. Ai u gjet në orët e para të mbrëmjes së 2 janarit në qelinë e tij e cila ishte e sigurisë së lartë.

Saliuka ndodhej në paraburgim që prej verës së kaluar kur u arrestua dhe akuzua për vrasje në një klub në lindje të Londrës. Ai e mohoi të ishte përfshirë në këtë ngjarje. Viktima është i burgosuri i tretë që gjendet i pajetë në Belmarsh pasi në Nëntor një tjetër i burgosur u gjet i vdekur në ambientet e burgut.

Motra e tij Dita u shpreh për gazetën Britanike The Guardian se autopsia ende nuk i është bërë trupit të tij dhe se janë lejuar ti shohin viktimës vetëm fytyrën.

Por Saliuka i’u nënshtrua edhe një operacioni kirurgjikal intensiv dy vite më parë pas një aksidenti me makinë. Në trupin e tij u vendosën shufra metalike duke vështirësuar kështu ecjen dhe qëndrimin e tij për një kohë të gjatë.

Dita u shndërrua në infermieren e tij derisa vëllai i saj u shërua. Një raport nga kirurgu përkatës me porosi të avokatit të tij mbrojtës nxorri konkluzionin se Saliuka duhet përfundimisht të konsiderohet si një person me aftësi të kufizuara.

“Në Belmarsh vëllai im u vendos fillimisht në një qeli speciale ku krevati ishte me dyshek ortopedik por shumë shpejt u transferua në një qeli standarte. Nuk u lejua të bënte një telefonatë të vetme deri natën e Vitit të Ri që arrita ta shoh. Ai më thoshte se njerëzit që kryejnë vetëvrasje janë të dobët dhe egoistë. Kam dëgjuar nga persona të tjerë se atë ditë ka pasur një konflikt dhe vëllai im është ngacmuar. Ai donte të pastronte emrin e tij nga akuzat por tani nuk do e ketë më këtë mundësi”, tregon ajo.

Mbrojtja ligjore e Saliukës u krye nga Organizata Britanike e Vullnetarëve JENG (Joint Enterprise Not Guilty).

“Një djalë i ri ka humbur jetën dhe ne nuk e dimë përse ka ndodhur kjo gjë”, tha Gloria Morrison, zëdhënëse e Organizatës.

“Vdekja e Liridonit përbën një shqetësim të rëndësishëm dhe duhet të shqyrtohet me seriozitet. Familja e tij duhet të lejohet që të marrë pjesë në proçeset e investigimit në mënyrë që të mësohen shkaqet e vdekjes së tij”, u shpreh Selen Cavcav, agjente e Shërbimeve Sociale.

Ndërkohë duke marrë parasysh të gjitha vdekjet e ndodhura në qelitë e paraburgimit do të kryhet edhe një investigim i pavarur nga organi publik Britanik “Prisons and Probation Ombudsman”.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey