Shtetësia, beteja për një copë truall nën këmbë

photo-750x430-1-2

Zgjidhja e problemit të shtetësisë duhet kërkuar në kuadër të Konventës Europiane për shtetësi, ku në mes tjerash është përcaktuar që shtetet Europiane gjatë vendimeve për shtetësi duhet të kenë parasysh lidhjet e mirëfillta dhe efektive të personave me shtetin, por duhet kërkuar edhe si interes shtetëror. Problemi është shumë serioz, sepse flitet për një kategori historike të shqiptarëve të cilët për arsye të ndryshme edhe sot e kësaj dite nuk mund ta realizojnë të drejtën e shtetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Interes shtetëror ose rrezik shtetëror

Nga Suzana SALIU

Kur në vitin 1992 u miratua Ligji për shtetësi, askush nuk i kishte paraparë pasojat që do të shkaktonte te një numër i madh i qytetarëve shqiptarë, të cilët sot e kësaj dite nuk mund ta rregullojnë statusin e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtyre tri dekadave zbatimi Ligji për shtetësi për shumë qytetarë u shndërrua në ligj për pashtetësi. Ligji u miratua një vit pas miratimit dhe shpalljes së Kushtetutës (nëntor 1991) me të cilën Republika e Maqedonisë u konstituua si shtet sovran dhe i pavarur. Ligji për shtetësi u cilësua si një ndër ligjet prioritare dhe të një rëndësie të veçantë, sepse shtetësia paraqet një ndër atributet e shtetit bashkëkohor, një kusht shumë të rëndësishëm i realizimit të të drejtave dhe obligimeve të qytetarëve por, edhe i eliminimit të dualizmave si pasojë e shpërbërjes së federatës Jugosllave. Ata që e morën shtetësinë shpëtuan, sepse krijuan lidhje politiko-juridike të përhershme me shtetin. Ndërkaq ata që u përjashtuan, mbetën pa truall nën këmbë.

Ligji për shtetësi i vitit 1992 shumë qytetarë shqiptarë i gjeti të hutuar. Dikush nuk i besonte faktit se në vendin ku ka lindur dhe jetuar duhet të kërkojë shtetësi, dikush ishte i paudhëzuar, dikush shkaku i taksës së lartë (në fillim 750 dollarë), ndërsa dikush nuk arriti ta kapë afatin njëvjeçar i cili ishte tejet i shkurtë për ta rregulluar statusin (neni 26 i Ligjit). Shumë qytetarë u përjashtuan sepse evidencat regjistrat për shtetasit e Maqedonisë së atëhershme,për shkaqe të ndryshme ishin të paazhuruara. (Nuk gabojmë nëse dyshojmë se një mosazhurim i tillë ndoshta edhe ka qenë i qëllimshëm, tendencioz, por dhe keqbërës ndaj qytetarëve shqiptarë).

Për problemin e shtetësisë të shqiptarëve të Maqedonisë është shkruar dhe dabatuar në qind herë. Por tani, për të njëqindën e njëherë, opozita shqiptare ka arritur që të sensibilizojë opinionin dhe institucionet relevante deri në atë shkallë sa të gjithë pajtohen se problemi ekziston dhe se ka nevojë për ndryshime dhe lehtësime në Ligj. Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë dy dekadave të funksionimit, në çdo raport vjetor ka analizuar problemin e shtetësisë si një ndër problemet më serioze me të cilin ballafaqohen një kategori e caktuar e qytetarëve shqiptarë, sidomos ata të rrethit të Shkupit dhe të Kumanovës, duke intervenuar për çdo rast konkret dhe në vazhdimësi duke kërkuar zgjidhje të problemit.

Procedura për aplikimin e shtetësisë gjithandej paraqet një procedurë komplekse, burokratike dhe rigorozisht të përcaktuar me ligj. Ligji për shtetësi i viti 1992 ka ndryshuar disa herë në favor të lehtësimit të procedurave. Për shembull qëndrimi legal 15 vjeçar u zvogëlua ne 8 vjet, lehtësime në bazë të martesës, që në aktvendim të arsyetohen verifikimet e shërbimeve sekrete pse pranimi i një qytetari të caktuar paraqet rrezik për sigurinë dhe rendin kushtetues, e të mos flasim për uljen e taksave që tanimë janë zvogëluar në mënyre simbolike, etj. Në të gjitha shtetet e Europës këto procedura udhëhiqen nga parimet dhe standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për shtetësi të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut që moti e ka ratifikuar, dhe shumë nga këto standarde janë të ndërtuara në Ligjin për shtetësi. Mirëpo, gjatë zbatimit praktik të Ligjit, shpesh këto standarde vihen në lojë dhe keqpërdoren, sidomos nga ana e shërbimeve sekrete gjatë verifikimit të kushtit të aspektit të sigurisë shtetërore.

Kur flasim për personat që kërkojnë shtetësi, përherë duhet ta kemi parasysh dy kategori të aplikuesve, e që janë të pakrahasueshme. Në njërën anë është fjala për një kategori krejtësisht të re, e që e përbëjnë të huajt siç janë migrantët, refugjatët, azilantë, kryesisht të ardhur nga vendet e konflikteve, si dhe nuse të reja e dhëndurë të rinj të kurorëzuar me shtetas të Maqedonisë (që kërkojnë shtetësi përmes natyralizimite cila paraqet të drejtë të pakontestueshme)por, që janë të pakët në numër. Dhe e dyta, kategori historike, të cilët kanë lidhje të mirëfillta, të forta dhe efektive me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por që ende nuk mund ta realizojnë të drejtën. Është fjala për persona të cilët kanë lindur para shumë dekadave në Maqedoni, që jetojnë me familjet e tyre në pronat dhe shtëpitë e tyre në Maqedoni, janë shkolluar në Maqedoni, veprojnë në Maqedoni, të cilët janë përshtatur dhe mishëruar me kushtet, kulturën, mentalitetin dhe rrethanat në Maqedoni, por të cilët edhe përkundër këtyre fakteve vazhdojnë të mbeten të përjashtuar nga shtetësia. Këtyre u thuhet se duhet të fillojnë nga e para, që në shtëpitë dhe familjet e tyre duhet të evidentohen si të juaj. Një padrejtësi historike, për një kategori historike të qytetarëve.

Pas këtij sensibilizimi që i është bërë problemit të shtetësisë, vlerësohet se janë krijuar kushte për një qasje sa më konstruktive dhe humane për zgjidhjen e problemit. Zgjidhja duhet të kërkohet në kuadër dhe vetëm në kuadër të parimeve dhe standardeve Evropiane. Duhet kërkuar përmes preambulës (parimeve themeltare) të Konventës Europiane për shtetësi,ku qartë është e përcaktuar se shtetet anëtare të Këshillit të Europës gjatë procedurave për shtetësisë duhet të udhëhiqen nga parimi i respektimit të jetës familjare, ashtu siç është e definuar edhe në neni 8 të Konventës Europiane për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Konventa Europiane për shtetësi gjithashtu përcakton se shtetet në sukcesion (siç ishte Maqedonia pas shpërbërjes së federatës Jugosllave) gjatë vendimit për shtetësi posaçërisht duhet të kujdesen për lidhjen e mirëfilltë dhe efektive të personave që kanë me shtetin.

Shpejtë dhe në mënyrë efikase problemi i shtetësisë do të mund të zgjidhet edhe përmes nenit 11 të Ligjit për shtetësi i cili parasheh që një i huaj mund ta fitojë shtetësinë e Maqedonisë me natyralizim edhe pa i plotësuar kushtet e caktuara, nëse një gjë e tillë paraqet interes nacional për shtetin. Mbetet në vullnetin dhe ndërgjegjen e institucioneve dhe autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të shohim vallë, kategorinë historike të shqiptarëve pa shtetësi, do ta shohim si interes shtetëror,apo si rrezik shtetëror.

(Autorja është zëvendëse e Avokatit të Popullit)

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey