Shteti i sëmurë me një popull që vuan

Qeveria po luan një lojë të rrezikshme që po shkakton tek populli efektin e tullumbacit të Frojdit, që u fry e fry (se heshti, mblodhi brenda), dhe pastaj plasi… Si neurolog e kam një diagnozë të qartë për këtë situatë, mendoj se çdo ditë e më shumë që kjo qeveri mbetet në pushtet aq më i madh është rreziku i një shteti të sëmurë… me një popull që vuan

Nga Dr. Arben TARAVARI

Ka një kohë që e kisha ndërprerë shkrimin tim të përjavshëm sepse isha pjesë e kandidimit për kryetar Komune nga radhët e Aleancës. Prej atëherë s’ka kaluar pale sa kohë, por aq shumë kanë ndodhur sa në një shtet normal do duheshin vite e dekada të regjistroheshin aq shumë ndodhi sa tek ne. Sidomos këto dy ngjarjet e kësaj jave më vendosën para pozitës dhe detyrimit që të ndajë domosdoshmërisht, të dokumentojë Patjetër historinë e trishtë dhe fatkeqe të vendit tonë.

Jo më kot e ceka në hyrje se isha pjesë e Zgjedhjeve Lokale 2021. Kërkova sërish besimin e popullit tim dhe fatmirësisht e mora. Kandidati që BDI-ja më vuri përballë dukej si një lajthitje nga ana e tyre…dukej si një gabim kalamajsh emri i tij…dukej si një humbje në tavolinë sepse ata po i ofronin popullit të Gostivarit kryetarin më të dështuar të këtij qyteti! A thua naiviteti i BDI-së të ishte kaq i madh?! A thua kjo parti që udhëheq Tregun e Votës së Pisët, që ka 20 vjet që e mban pushtetin me dhëmbë dhe me thonj, të propozonte një kandidat kaq pak premtues si ai me të cilin po garonte?!

Gjithçka ishte e paqartë! Vet anëtarët e BDI-së në Gostivar po shprehnin pakënaqësinë e tyre ndaj të zgjedhurit të partisë së tyre, gostivarasit po ndjeheshin të tallur nga kjo parti që në vend t’ju kërkonte falje për këtë njeri që kishte traumatizuar qytetin gjatë mandatit të tij, ia sillte prapë në derë!

Gjërat filuan të bëheshin edhe më të komplikuara! BDI-ja jo vetëm nuk e tërhoqi nga gara të emëruarin e saj, por zbarkoi e gjitha në Gostivar. Vet kryetari i saj, z.Ali Ahmeti mori banim fiks atyre ditëve në qytetin tonë, shkonte fshat më fshat, derë më derë, e kishte të vështirë sepse shumica e atyre që takoi ishin të nëpërkëmbur nga “Djemtë e Tij” të cilët me dijeni apo jo të tij, luanin dhe luajnë poker me fatin e njerëzve. Kandidati i tyre nuk dukej askundi, përveçse disa fotografive gjigande rrethuar me blerim që të dukej sikur të ftonin në pazarin e gjelbërt! Ngjyrat marrin karakterin e atyre që i mbajnë. E kuqja është kaq e bukur në një trëndafil të freskët dhe po është kaq e tmerrshme kur e sheh në trupa të gjymtuar…

BDI-ja ishte rreshtuar si Askund tjetër në Gostivar. Përdori të gjithë arsenalin e saj, por Gostivari e fitoi Ahmetin dhe të gjithë partinë e tij. Ishte një dështim që i kushtoi Aliut dhe partisë së tij më shumë se kushdo, në pamje të parë, sepse më vonë tē gjithë e kuptuan se më përqendrimin e vëmendjes në Gostivar, BDI-ja arriti të defokusonte një humbje më të Madhe, Disfatën e Tetovës!!!

Duke luajtur me numra shifrash dhe me Misione të Pamundura kjo parti po përpiqej ashtu si bën sot e kësaj dite, kapitullimin e saj! Pollogu është 1 nga 8 Rajonet e Vendit, por është më i rëndësishmi për nga numri i shqiptarëve dhe aktualisht BDI-ja nuk drejton asnjë nga qytetet më të mëdha me shqiptarë si janë Tetova dhe Gostivari, madje edhe Shkupin dhe Kumanovën.

Lufta e saj naive në dukje, është perfide dhe gjithnjë në dëm të popullit. Jo më larg se para dy ditësh që po shkruaj këto radhë, u kap nga policia me 100 kg drogë një grup njerëzish të përfshirë në fushatën e BDI-së në Gostivar. Ky ishte njē skandal që pasoi nga një tjetër: Asnjë distancim, asnjë dënim të rastit nga BDI-ja por…dega e saj në Gostivar më paditi mua për shpifje a thua se ata fatkeq të kapur nga policia nuk kishin 100kg marihuanë me vlerë 300 mijë euro, por 100 kg sallatë të gjelbër të mbetur nga fushata…

Në këtë mesele tragjikomike vula u vu kur ministri i Drejtësisë kërkoi Faljen e Vrasësit të Almirit…Rasti i tmerrshëm që tronditi mbarë opinionin publik është ende një vullkan që rrezikon të shpërthejë! Pavarësisht fesë apo etnisë, nuk mbeti njeri normal pa u prekur nga pamjet makabër ku vrasësi me qëllim godet për vdekje djalin e vogël…mirëpo Boban Krimineli gjeti Boban Ministër Zemërmadhin i cili na hutoi të gjithëve! Ai na dha një perspektivë tjetër: ndoshta Boban Zemërmadhi ka menduar-pse ta lemë Boban Kriminelin në qeli kur tashmë çfarë ka ndodhur ka ndodhur?’ Ishte një moment gjaknxehtësie…pastaj duke e mbajtur brenda a e ngjallim prapë atë fëmijë fatkeq që u ndodh në vendin e gabuar?!

Sigurisht këto hamendësime të tmerrshme urojmë mos jenë bërë nga ministri i Drejtësisë por nga ana tjetër nuk ka asnjë argument logjik që mund të legjitimojë apo arsyetojë këtë kërkesë-faljeje… Është skandal dhe çmenduri e padëgjuar që në një shtet demokratik, ministri i Drejtësisë të kërkojë falje për një vrasës fëmije! Epo kjo ka ndodhur këtë javë! Ku?! Në Maqedoninë e Veriut! Çfarë reagimesh pati nga qeveria?! U pushua urgjent ministri i Drejtësisë dhe a u ndoq penalisht për këtë kërkesë?! Sigurisht që jo! Ata vazhdojnë punën si çdo ditë duke menduar që si zakonisht popullin do e hutojnë me ndonjë skandal tjetër, dhe do të harrohet…Pra kërkesa për falje e ministrit të Drejtësisë për vrasësin e fëmijës apo atentatorët e 27 prillit u trajtua si një shkujdesje e lehtë. Reagoi populli dhe opozita, sigurisht BDI-ja as nuk e vuri ujin në zjarr, dukej se as “ditët e zizë” me të cilat u shfajësuan për spitalin fatkeq të Tetovës që u dogj me gjithë njerëz brenda, nuk do e shpëtonin dot…por më e thjeshtë, ata heshtën dhe në mendësinë e BDI-së dhe Qeverisë, heshtja është Kapak Floriri!

Sigurisht që nuk është kështu në asnjë realitet psikologjik. Qeveria po luan një lojë të rrezikshme që po shkakton tek populli efektin e tullumbacit të Frojdit, që u fry e fry (se heshti, mblodhi brenda), dhe pastaj plasi… Si neurolog e kam një diagnozë të qartë për këtë situatë, mendoj se çdo ditë e më shumë që kjo qeveri mbetet në pushtet aq më i madh është rreziku i një shteti të sëmurë… me një popull që vuan.

Koha.mk

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey