Si e shohin analistët ftesën e Kurtit për opozitën lidhur me dialogun?

Dialogu mes Kosovës e Serbisë pritet të fillojë më 22 qershor, kurse ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim kryetarët e partive opozitare për të diskutuar për çështjet me interes nacional, përfshirë edhe dialogun.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takim me Kurtin, që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

Por, ftesën e kryeministrit e ka refuzuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë opozitare më të madhe në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj i PDK-së.

Hoxhaj përmes një letre i ka kthyer përgjigje negative Kurtit, duke i kërkuar atij transparencë dhe debat në Kuvendin e Kosovës.

Hoxhaj përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në lidhje me këtë për Telegrafin ka folur analisti politik Fitim Salihu, i cili tha se Kosova nuk ka nevojë më për grupe negociatore dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të marrë përgjegjësitë dhe t’i prijë dialogut.

I pyetur për vlerësimin e situatës pasi, Hoxhaj refuzoi takimin me Kurtin, Salihu u shpreh se “Albin Kurti si kryeministër po e vjel sjelljen opozitare që e ka pasur vetë ndaj kryeministrave paraardhës kur ka qenë në opozitë”.

“Vlerësoj se Albin Kurti duhet ta marrë përgjegjësinë që ia jep edhe pozita edhe besimi qytetar i 14 shkurtit. Kësisoj, ai duhet të marrë përgjegjësinë për t’i prirë dialogut. Kosova nuk është më as në vitin 1999, as në vitin 2006 dhe nuk ka nevojë për grupe negociatore”, tha Salihu për Telegrafin.

Ai shtoi se, pavarësisht sjelljes së opozitës, Kurti duhet të pranojë t’i prijë procesit negociues me Serbinë.

“Kosova ka institucionet dhe qeverinë e saj që duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë, pavarësisht nëse konsultohet me opozitën apo jo. Albin Kurti si kryeministër po e vjel sjelljen opozitare që e ka pasur vetë ndaj kryeministrave paraardhës kur ka qenë në opozitë. Prandaj, duhet të pajtohet që t’i prijë procesit negociues pavarësisht qasjes se opozitës.

Në anën tjetër, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, i cili merret me hulumtimin e politikave, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “për një fazë ku mund të negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, domosdo duhet të ketë përfshirje të të gjitha institucioneve, por edhe subjekteve politike”.

Ai ka thënë se një marrëveshje finale kërkon miratimin e të gjithë akterëve kryesorë të vendit dhe subjekteve kryesore.

“Për një fazë ku mund të negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, domosdo duhet të ketë përfshirje të të gjitha institucioneve, por edhe subjekteve politike. Është diçka që do të kërkojë, në një farë formë, miratimin e të gjithë akterëve kryesorë, subjekteve kryesore, është e domosdoshme. Mekanizmi se si duhet të gjendet kjo nuk e dimë”, tha ai.

Sipas tij, ”është pak herët të flitet për këto mekanizma apo funksionimin e brendshëm, derisa nuk kemi një dinamikë të dialogut, nëse nuk dihet një agjendë me e qartë e dialogut”.

“A do të kemi agjendë të dialogut? Nuk e dimë sepse do të varet nga Kosova, nga Serbia dhe nga BE-ja. Duhet ta kuptojmë drejt se procesi i dialogut po bëhet gjithnjë e më i vështirë, për fajin e të gjithë faktorëve”, thotë Rashiti.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey