Si mund të ndodh padia ndaj Serbisë në GJND?

Si i shohin njohësit e diplomacisë zotimet e Kurtit në politikën e jashtme?

Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, dje në Kuvendin e Kosovës me 67 vota pro e morri mandatin për ta drejtuar Qeverinë e vendit në 4 vitet e ardhshme. Në fjalimin e tij të gjatë, që u quajt ekspoze, Kurti foli për shumë çështje përfshirë drejtësinë, shëndetësinë, arsimin e politikën e jashtme.

Në Kuvend, Kurti tregoi se Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të jetë Donika Gërvalla, e bija e heroit Jusuf Gërvalla, që vije nga radhët e Listës Guxo të Vjosa Osmanit.

Krahas Gërvallës, me politikë të jashtme do të merret edhe Besnik Bislimi, që mban postin e Zëvendëskryeministrit të parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog.

Edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, që udhëhiqet nga Fikrim Damka, ka në përgjegjësi zhvillimin dhe pjesëmarrjen në nismat dhe programet rajonale në bashkëpunim me MPJD-në.

Ndërkaq, vetë Kurti ka bërë disa zotime në politikën e jashtme gjatë fjalimit të tij në Kuvend, si Kryeministër i ri i vendit.

Zotimet e Kurtit në politikën e jashtme

Para deputetëve të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i VV-së foli gjatë për politikën e jashtme që Kosova do ta ndjekë nën udhëheqjen e tij.

Kurti tha se nën drejtimin e tij do të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e se do ta bëj të gatshme FSK-në për t’u anëtarësuar në Kartën e Adriatikut.

Tutje shefi i ekzekutivit deklaroi se në dialogun me Serbinë, të cilin nuk e sheh si prioritet të madh, krye-tema e tij do të jetë zgjidhja e fatit të personave të zhdukur.

“Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim”, u zotua Kurti në Kuvend

I pari i Qeverisë nuk la pa përmend edhe planin e mini-Marshallit për Ballkanin Perëndimor.

Kurti foli edhe rreth planit të Ahtisarit, të cilin e kishte kritikuar e kundërshtuar gjatë sa ishte në opozitë. Në ekspozenë e tij, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk ka ndonjë kompromis tjetër përtej këtij plani.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Serbia duhet ta shpallë pavarësinë nga Kosova ashtu siç ka bërë kjo e fundit nga Serbia.

Por, çka mendojnë njohësit e diplomacisë për zotimet e Kurtit?

Padia ndaj Serbisë

Avni Spahiu, diplomat karriere, i cili ushtroi detyrën e ambasadorit të Kosovës në Washington të ShBA-së e Ankara të Turqisë, thotë se politika e jashtme kosovare ka nevojë një ristrukturim të madh.

Spahiu tha se Kosova nuk mund ta paditë Serbinë për gjenocid. Megjithatë, sipas diplomatit të karrierës, ka mundësi të tjera se si Serbia mund të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk mund ta padisim si shtet, duke pasur parasysh pozitën aktuale ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Por ka një sërë mekanizmash ndërkombëtar përmes të cilëve mund të paditet shteti serb për gjenocid, spastrim etnik dhe për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Kosovë”, tha Spahiu, të martën, për Reporteri.net.

Nga ana tjetër, Adi Beqiri, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shkolla e Diplomacisë në Gjenevë, tha se është koha e fundit që Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid në GJND.

“Agresori duhet të mbahet përgjegjës penalisht për krimet e kryera. Në këtë drejtim, çfarëdo iniciative për të vendosur drejtësi për gjithë ato krime të ndodhura në Kosovës, është për t’u përshëndetur. Se sa do të mundet në aspketin legal të ketë sukses kjo iniciativë, është çështje tjetër dhe u takon juristëve. Por ka elemente të mira, fatkeqësisht, që të cilat janë premtues që një iniciativë e tillë do të korrte sukses në GJND, hap i cili do të duhej të bëhej shumë më herët kur faktet ishin të freskëta”, tha Beqiri.

Plani Mini-Marshall

Rreth idesë së planit mini-Marshall të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për të cilin Kurti u zotua se do të insistoj, ish-ambasadori i Kosovës në Washington e Ankara, thotë se një gjë e tillë ka mundur të kërkohej menjëherë pas luftës.

“Kjo ka mundur të kërkohej menjëherë pas luftës, duke parë shkatërrimin total të vendit. Ndonëse, bashkësia ndërkombëtare, në forma të ndryshme, ndihmoi Kosovën me asistencë substanciale financiare dhe materiale, krahas mbështetjes në forma të tjera. Pas luftës ka pasur edhe një Konferencë donatorësh në këtë drejtim. Ndonëse, një përpjekje e re për të vazhduar këtë ndihmë në formë me të planifikuar dhe më esenciale mbase edhe mund të bëhet”, thotë Spahiu për Reporteri.net.

Në anën tjetër Beqiri shton se ideja e Kurtit për mini-Marshall është e duhur.

“Ideja e mini-Marshallit më duket ide e mirë dhe është koha e fundit për stabilizim të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sepse me gjithë mungesën e konfliktit, rajoni është i brishtë. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron që puna e bërë deri më tani të mos shkoj huq, duhet ta përkrahë një plan të tillë që do të ndërtonte një stabilitet të qëndrueshëm’’, tha Beqiri.

Nuk përmendet vettingu në diplomacinë kosovare

Kurti paralajmëroi proces të vettingut në sektorin e drejtësisë, në Polici e në Agjencinë Kosovarë për Inteligjencë.

Por, Kurti nuk tha nëse do të ketë proces të vettingut edhe në MPJ, institucion që nuk i ka shpëtuar punësimeve jo-meritokratike e me nepotizëm gjatë qeverisjeve të kaluara.

Besnik Boletini nga organizata ÇOHU, e cila ka analizuar punësimet me lidhje politike në MPJ, tha se misionet diplomatike janë shndërruar në vende të rehatshme pune.

“Kemi gjetur se edhe në Ministrinë e Jashtme ka qenë i shtrirë patronazhi politik. Në periudhën 2010-2016 kemi gjetur se 28 zyrtarë të lartë kanë lidhje zyrtare me partitë politike. Mbi 90 për qind prej tyre me PDK-në. Përveç lidhjeve politike, ne kemi evidentuar edhe dhjetëra zyrtarë që janë punësuar në këtë ministri, e që kanë lidhje familjare me zyrtarë të lartë të partive politike që kanë qenë në pushtet”, tha hulumtuesi, Boletini.

Tutje, shton se misionet diplomatike janë shndërruar në një vend të rehatshëm pune.

“Për t’u bërë pjesë e misioneve diplomatike kanë qenë dy kritere: Lidhjet partiake dhe familjare, e jo kriteret profesionale. Të tillët përveç që nuk kanë përgatitje profesionale në përfaqësim të vendit, kanë shkaktuar edhe skandale të ndryshme në vendet ku kanë qenë të akredituar”, tha Besnik Boletini

Se duhet të ketë vetting edhe në diplomaci, e thotë diplomati Spahiu.

“Gjithsesi, ndonëse ka pasur një lloj procesi konfirmimi edhe deri më tash, ndonëse tepër formal. Është detyrë e shtetit që të ketë kujdes që figura e diplomatit kosovar të jetë e pastër, dinjitoze, por edhe që diplomatët, krahas pastërtisë morale, të kenë përgatitjen dhe zotësinë e duhur për ta përfaqësuar vendin e vet me dinjitet dhe dituri”, tha Spahiu.

Kështu mendon edhe Boletini, i cili tha se në misionet diplomatike të Kosovës duhet të punësohen njerëz me përgatitje profesionale adekuate.

Udhëheqësi i VV-së sot ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të ekzekutivit nga Avdullah Hoti, paraardhësi i Kurtit në Qeveri, duke u bërë kryeministri i shtatë i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey