Si mund të rigjenerohet zemra pas një ataku kardiak?

Një ekip nga King’s College në Londër arriti të rigjenerojë qelizat e zemrës të dëmtuara nga një atak në zemër te kafshët, duke përdorur teknologji të ngjashme me atë të vaksinave anticovid të Moderna dhe Pfizer. Trajtimi, nëse rezulton efektiv edhe te njerëzit, do të jetë revolucionar.

Shkencëtarët kanë identifikuar molekula të vogla të ARN-së (të quajtura mikroARN) të afta për të prodhuar proteina që stimulojnë rritjen e qelizave të reja të shëndetshme të zemrës. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën Current Opinion in Genetics & Development.

Infarkti prodhon plagë në zemër që me kalimin e kohës ndalojnë kalimin e duhur të gjakut, duke rritur rrezikun e insuficiencës kardiake. Por falë punës së shkencëtarëve në King’s College, ky rrezik mund të reduktohet shumë. Ekipi zbuloi se mikroARN-të, kur injektohen në qelizat e muskujve menjëherë pas një ataku në zemër, janë në gjendje të rigjenerojnë qeliza të reja të shëndetshme. Eksperimentet për momentin janë bërë vetëm te kafshët, por brenda dy viteve të ardhshme do të fillojnë eksperimentet tek njerëzit: “Qelizat e reja zëvendësojnë ato të vdekura dhe pacienti do të ketë inde të reja muskulore”, shpjegon Mauro Jacket, një nga autorët.

MikroARN-të janë të kapsuluara në një grimcë lipide (të quajtur SNALP, nga anglishtja; Stable nucleic acid–lipid particles) dhe injektohen në zemrën e pacientit. Teknologjia është e njëjta që përdoret nga vaksinat Moderna dhe Pfizer për të transportuar RNA-në e koronavirusit SARS-CoV -2 dhe nxisin përgjigjen imune në trup.

Qëllimi i studiuesve është që të arrijnë të prodhojnë në laborator proteinat që stimulojnë rritjen e qelizave në mënyrë që të mund t’i injektojnë ato sa më shpejt te pacientët që vuajnë nga ataku në zemër, direkt në ambulancë ose me mbërritjen në spital.

“Nëse provat klinike shkojnë mirë, do të jetë një revolucion”, thotë Jacket duke treguar se deri më sot, trajtimet për sulmin në zemër dhe isuficiencën kardiake janë shumë të ngjashme me ato të 50 viteve më parë.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey