Sipas gjitha fakteve, Artan Grubi nuk do ta ketë të lehtë të dëshmojë se është i pastër si loti, vlerësoi ministri Toshkovski
Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, ka folur rreth ikjes së ish-funksionarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubit, përkundër se ndaj tij është shpallur edhe fletarrestim ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk. “Unë me përgjegjësinë më të madhe pohoj se sipas të gjitha provave që kemi mbledhur deri më tani, dhe […]
Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, ka folur rreth ikjes së ish-funksionarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubit, përkundër se ndaj tij është shpallur edhe fletarrestim ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.
“Unë me përgjegjësinë më të madhe pohoj se sipas të gjitha provave që kemi mbledhur deri më tani, dhe të gjitha atyre fakteve që janë konstatuar në kuadër të këtyre procedurave para hetimore dhe hetimore, nuk do ta ketë të lehtë të dëshmojë se është i pastër si loti”, tha Toshkovski.
Toshkovski, sipas MIA-s, i rekomandoi Grubit të marrë një avokat që do ta mbrojë në fushën e së drejtës penale, pasi janë paralajmëruar edhe raste tjera.
“Unë ende shpresoj që ai person të tregojë virtyt dhe përgjegjësi, por edhe të jetë vërtet i gatshëm të përgjigjet para drejtësisë, të vijë të konfirmojë atë frazë që tha se është i pastër si loti dhe se vërtet nuk ka bërë asgjë për të dëmtuar shtetin dhe qytetarët”, deklaroi Toshkovski.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Më 24 dhjetor, Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Më 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.
Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë
Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.
Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.
Më 18 dhjetor konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku u mor në pyetje në polici për shkak të dyshimeve se e ndihmoi Grubin të arratiset.
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,
Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.