S’ka datë, ka zgjedhje!

Nga Naser Pajaziti

Qeveria bullgare bëri të qartë se vetoja e betonuar do jetë edhe më 14 dhjetor dhe sërish s’ka datë për Shkupin për fillimin e bisedimeve me Brukselin.

Perspektiva evropiane në çdo rrethanë varet kryekëput nga Sofja dhe rezultati politik pas zgjedhjeve të treta parlamentare bullgare, pavaresisht përpjekjeve dhe presioneve që janë më tepër vullnet i mirë i SHBA-ve dhe disa vendeve anëtare të BE-së.

Sofja tashmë ka kushtet e qarta që pret ti përmbush Maqedonia e Veriut e që janë përsëritur në vazhdimësi:

1. Respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut,

2. zhdukja e përhershme e gjuhës së urrejtjes,

3. respektimi i historisë dhe trashëgimisë kulturore bullgare në Maqedoni. Këto kushte janë pjesë e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë të 2017.

Thuajse i tërë spektri politik bullgar i ka për bazë këto kushte që janë prioritet me interes të lartë shtetëtor. Kjo frymë ka qenë pjesë dominante e fushatës së zgjedhjeve, por edhe pjesë e negociatave për formimin e Qeverisë së re.

Lëvizja “Vazhdojmë ndryshimin” e udhëhequr nga Kiril Petkov nuk garantoi datë dhe ajo vazhdon të jetë në një vijë me presidentin Rumen Radev, që tashmë ka filluar mandatin e dytë presidencial, me tre kushtet e lartëpërmendura karshi Shkupit.

Radev është ithtarë i angazhimit dhe dialogut dypalësh mes Sofjes dhe Shkupit, pa ndërhyrje nga jashtë. Ai paralajmëroi se pret përgjigje dhe veprime reale nga Maqedonia e Veriut dhe shumë pak të shpresohet për një zgjidhje të imponuar apo plasuar nga jashtë.

Edhe Qeveria e re bullgare që pritet të formohet do të ketë qëndrime të betonuara dhe të pakompromis nëse nuk ka sinjale të qarta nga Shkupi. Partia Socialiste, koalicioni “Bullgaria Demokratike” dhe partia “Ka një popull të tillë” e Slavi Trifunov janë të njohura për pozicionet e palëkundura.

Derisa Shkupi nuk ka kohë të pres, Sofja e ka këtë komoditet dhe ajo do pret garanci të qarta nga Shkupi për të drejtat e qytetarëve me ndjenjën kombëtare bullgare dhe përmbushjen e Marrëveshjes së Miqësisë 2017.

I gjithë problemi apo kontesti është tek pika e parë pasi që ajo do hap sërish Kushtetutën, “kutia e Pandorës” që mund të sjellë telashe të reja.

Maqedonia e Veriut ka një përvojë të hidhur në raport me Brukselin, për shkak të pritjeve të stërzgjatura dëshpëruese. Qysh në 2009 e largët u mor rekomandimi për hapjen e negociatave.

12 vjet pritje, rekomandime të kushtëzuara, sidomos për zgjedhjet e 2016, më pas për zgjidhjen e kontestit të emrit. Kur gjithë prisnin se me përmbylljen e kapitullit historik me Greqinë, do vijë data, sërish ndodhi zhgënjimi.

Tani ‘loja e fatit’ po luhet me Bullgarinë, e cila po mban peng datën përmes vetove të njëpasnjëshmë gjatë këtyre dy viteve.

Dhe lajmi i keq tashmë është kumtuar, andaj është e vështirë të pritet që vetoja të hiqet madje edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke pasur parasysh zhvillimet dhe rrethanat që do të pasojnë, pas ngërçit politik me qeverinë (me apo pa Zaevin), dhe krizave tjera që do të prodhojnë zgjedhje të pashmangshme gjatë vitit të ardhshëm.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey