S’ka rrezik për shpërndarjen e variantit “Delta”

Varianti Delta i koronavirusit, që për herë të parë ishte zbuluar në Indi vitin e kaluar, tanimë është regjistruar në 92 shtete. Për dallim nga Alfa britanike dhe Beta e Afrikës së Jugut, ky variant i virusit e cila sipas OBSH, klasifikohet si brengë globale dhe ka transmetim më të madh. OBSH kumtoi se ka raporte se ky variant shkakton edhe simptoma më të rënda, por që ka nevojë për më shumë hulumtime që të vërtetohen këto konkluza. Simptomat më të shpeshta, sipas analizave, janë dhimbja e kokës, dhimbja e fytit, rrjedhja e hundëve, etj. Varianti Delta po çon në një fluks rastesh nga Portugalia në Rusi, derisa Britania në fillim të këtij muaji e prolongoi për katër javë fazën nga plani i saj për rihapje. Në SHBA, ku normat e vaksinimit janë relativisht të larta, autoritetet shëndetësore thonë se varianti Delta mund të bëhet specie dominuese gjatë verës.

VAKSINAT JANË EFIKASE

Epidemiologu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Marija Van Kerhove deklaroi se ka disa dëshmi për uljen e efikasitetit të vaksinave kundër këtij varianti. Por, në përgjithësi, ajo tha se vaksinat ende janë shumë efikase. “Kjo është me të vërtetë një porosi e rëndësishme që dëshirojmë ta bëjmë të qartë si kristali. Deri sa shohim ndonjë ulje të pjesshme të efikasitetit, ato megjithatë janë efikase në uljen e sëmundjes së rëndë, përfshirë edhe kundër variantit Delta”, porositi Van Kerhove. Sipas të dhënave të publikuara nga Shëndeti Publik Angli, vaksinimi me Pfizer dhe AstraZeneka është po aq efektiv në parandalimin e shtrimit në spital në rastin e variantit Delta, si në rastin e variantit Alfa.

Dy doza të Pfizer parandalojnë 96% shtrimin në spital për shkak të variantit Delta, deri sa AstraZeneka parandalon me 92%, sipas nj studimi në të cilën kanë qenë të përfshirë 14.000 persona. Edhe të dhënat e mëparshme të lëshuara nga autoritetet shëndetësore britanike në fund të muajit maj, arritën në përfundime të ngjashme në lidhje me format më pak serioze të sëmundjes. Ekipi që qëndron pas prodhimit të Sputnik V në Twiter kanë shkruar se vaksina është më efikase kundër variantit Delta, nga cila do lloj vaksine tjetër që ka publikuar rezultate të këtij lloji deri më tani. Ata nuk publikuan rezultate konkrete, por kumtuan se studimi i Qendrës Gamaleja, përkatësisht instituti rus për hulumtime, ishte dorëzuar për botim në një revistë ndërkombëtare.

Profesori dhe mjeku në Klinikën për Toksikologji, Niko Beqarovski përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke u thirrur në një studim shkencorë porositi se 88% nga të infektuarit në Britani me llojin indian Delta nuk janë vaksinuar, ndërsa 99% e atyre që momentalisht ndodhen të shtruar në spital në Britani, nuk janë vaksinuar. “Rreziku i vdekjes në gjashtë muajt e parë të postkovidit është 7 herë më i lartë, për zhvillimin e sëmundjeve kronike të mushkërive 27 herë, goditje në tru dhe sulm në zemër 8 herë, diabet 4 herë”, shkroi Bekarovski.

DY RASTE NË MAQEDONINË E VERIUT

Një studim britanik i publikuar në revistën mjekësore “Lanset” në fillim të këtij muaji, ekzaminoi nivelet e antitrupave në individët e vaksinuar të ekspozuar ndaj varianteve Delta, Alfa dhe Beta. Është zbuluar se niveli i antitrupave te personat me dy doza të Pfizer është gjashtë herë më i ulët në prani të variantit Delta sesa në prani të llojit origjinal Covid-19 mbi të cilin bazohet vaksina. Variantet Alfa dhe Beta gjithashtu kanë shkaktuar reagime më të ulëta, me 2.6 herë më pak antitrupa për Alfa dhe 4.9 herë më pak për Beta. Hulumtimi francez nga Instituti Paster ka konkluduar se antitrupat si rezultat i vaksinës Pfizer janë tre deri gjashtë herë më pak efikase kundër variantit Delta sesa kundër variantit Alfa.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë regjistruar dy raste të variantit Delta te personat që janë kthyer nga Iraku. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se në bazë të anketave epidemiologjike nuk kanë detektuar rrezik për shpërndarje të këtij varianti. Ai tha se po i analizojnë të dhënat në vend, te fqinjët dhe në Evropë, ndërsa situata te ne është stabile dhe në këtë moment nuk planifikojnë masa restriktive për shkak të shpërndarjes së llojit Delta të koronavirusit. “Por, më duhet të potencoj, me vëmendje e ndjekim gjendjen jo vetëm te ne, por edhe në vende përreth për shkak se shpesh brenda një periudhe të shkurtë kohore kanë ndodhë ndryshime në gjithë vendet e rajonit. Vazhdojmë me këto masa dhe vazhdojmë ta ndjekim situatën”, deklaroi Filipçe.

IMUNITETI KOLEKTIV

Sot në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë 100 mijë vaksina “Pfizer” përmes mekanizmit Kovaks. Vaksinat do të mbahen në poliklinikën “Jane Sandanski” dhe në Institutin për Mjekësi Ligjore. Këto vaksina do të shpërndahen në shtet nga fillimi i javës së ardhshme. Filipçe po ashtu tha se pasnesër në ora 14:00 dhe në ora 16:00 në aeroportin e Shkupit do të arrijnë edhe 500 mijë vaksina “Sinovac”. Sipas tij, nuk ka ndonjë rrezik nga ndonjë valë e re të pandemisë së coronavirusit, por bën thirrje për kujdes. Filipçe tha se në vaksinim tani do të kenë përparësi mësimdhënësit, në mënyrë që të fillojnë me punë në shkolla gjatë vjeshtës. “Vlerësimet tona tregojnë se nuk ka ndonjë rrezik nga një valë e re në periudhën e ardhshme. Por, duhet të jemi të kujdesshëm. Kishim raste ku persona të vaksinuar janë infektuar me virusin në disa vende. Megjithatë në 98% e kanë kaluar lehtë dhe pa nevojë për hospitalizime”, tha Filipçe. Sipas të dhënave të djeshme, në Institutin për Shëndet Publik janë regjistruar 10 raste të reja nga 2.302 testime, tre të vdekur dhe 17 të shëruar. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se deri tani janë vaksinuar gjithsej 285.957 qytetarë dhe janë aplikuar gjithsej 494.909 vaksina, ndërsa 208.592 qytetarë janë rivaksinuar. (koha.mk)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey