Skemat e Minishengenit/ Kush përfiton më shumë nga ky projekt?

Minishengeni Ballkanik është kthyer thuajse në një kryefjalë të ditës për politikanët, analistët, por edhe qytetarët e thjeshtë në vend. Nga projektuesit e tij Rama dhe Vuçiç është pretendruar se ky është një projekt ekonomiko-politik, që do t’u shërbejë të gjithë shteteve dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Por cilat janë skemat që përfliten se mund të fshihen pas këtij projekti?

Së pari, është aluduar për përfitime e rritje kredencialesh politike për tre aktorët kryesorë që kanë iniciuar këtë projekt. Pra Rama, Vuçiç dhe Zaev thuhet se nëpërmjet këtij projekti po afirmojnë vetet e tyre si liderë të mëdhenj dhe aktorë kryesorë të stabilitetit në rajon. Kjo i nxjerr ata jo vetëm më të fortë në arenën e jashtme kryesisht në raport me BE, por edhe më solid e të qëndrueshëm përpara popujve të tyre.

Së dyti, një skemë tjetër që ka qarkulluar pas publikimit të këtij projekti është tentativa për “shpëtimin” nga fundi politik i tri liderëve, pasi që të tre po përballen me probleme serioze në vendet e tyre përkatëse. Që të tre kanë probleme me partitë opozitare në vendet e tyre, dhe sakaq po të tre përfliten si politikanë të kapur nga Lobi SOROS.

Së treti, një skemë e deklaruar edhe nga vetë iniciuesit e këtij projekti është qëllimi për të vënë me “shpatulla” pas muri, dhe për të presionuar kështu Bashkimin Evropian në mënyrë që të përshpejtojë hapat e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në këtë komunitet.

E fundit, por jo më pak e mundshme është afirmimi i Serbisë si superfuqi Ballkanike ekonomiko-financiare. Kjo për vetë faktin se Serbia do të jetë përfituesja me e madhe në rrafshin ekonomik nëse ky projekt do ja dalë realisht që të heqë barrierat ekonomike mes shteteve. Bazuar kjo në faktin se Serbia është shteti me më shumë konsumatorë, me mbi 7 milion të tillë, dhe po ashtu shteti që prodhon dhe eksporton më shumë mallra në tregun ballkanik dhe evropian.

Krejt në fund, duke analizuar të gjitha këto skema, Minishengeni Ballkanik konceptohet si një projekt politik që mund ti shërbejë në afatshkurtësi tre liderëve poltikë, ose në afatgjatë vetëm rritjes së mëtejshme të dominimit serb në ballkan.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey