Sllovenët dhuruan automjet teknik zjarrfikësve vullnetarë “Bajram Miftari” të Komunës së Çairit (FOTO)

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot ishte nikoqir i Ekipit të Zjarrfikësve Vullnetarë “Kotredezh” nga Zagoria e Savës në Slloveni, delegacionit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë së Veriut dhe drejtorit të saj Bekim Maksutit, sikurse edhe kryetarit të ri të Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari”, Artan Demirit.

Me këtë rast Ekipi i Zjarrfikësve Vullnetarë “Kotredezh” nga Zagoria e Savës në Slloveni, Shoqatës së Zjarrfikësve Vullnetarë “Bajram Miftari”, që funksionon në kuadër të Komunës së Çairit, i dhuroi një automjet teknik që do të ndihmojë për shuarjen e zjarreve dhe i pajisur me mjete plotësuese.

“Falënderuam mysafirët nga Sllovenia për donacionin e bërë, që është me një rëndësi mjaft të madhe për banorët Çairit, duke pasur parasysh faktin se automjeti është me pajisje plotësuese moderne dhe i adaptueshëm për depërtim në shumë lagje. U zotuam se ndërveprimin e ekipeve tona nga Komuna e Çairit dhe Sllovenia do ta thellojmë edhe përmes aktiviteteve të tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë”, ka deklaruar me këtë rast kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Para përfaqësuesve të ekipeve zjarrfikëse, Ganiu përkujtoi se gjithmonë ka pasur respektin më të madh ndaj tyre dhe do të vazhdojë ta ketë, për faktin se zjarrfikësit kryejnë një nga misionet më humane në shoqërinë tonë. Ndërsa drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksutin, i cili ishte edhe ndërmjetësues për donacionin nga ana zjarrfikësve të Sllovenisë, Ganiu e ka falënderuar për gatishmërinë e vazhdueshme që kanë për të mbështetur Komunën e Çairit.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey