Sot pritet vendimi përfundimtar për grevën në arsim

Pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Qeverisë dhe SASHK-ut, sot duhet të merret vendimi përfundimtar për përfundimin e grevës. Vendimi do të merret pas konsultimeve që kryesia e SASHK-ut duhet t’i bëjë me anëtarësinë, pas së cilës nxënësit pritet të kthehen në shkollë nesër pas një pauze dy javore.

Kryesia e SASHK-ut dhe Qeveria dje kanë arritur marrëveshje për rritjen e pagave për 12 për qind me pagën e korrikut, ndërsa mjetet do të sigurohen nga ribalanci i buxhetit. Sipas Qeverisë, rritja e pagave me 12 për qind nuk do të përbëjë rrezik për inflacion shtesë dhe nuk do të ndikojë në shërbimin normal të detyrimeve buxhetore.

Në takimin ku morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrat e Punës dhe Politikës Sociale dhe Arsimit dhe Shkencës, Jovanka Trençevska dhe Jeton Shaqiri, u ra dakord që të krijohet një metodologji e re për rritjen e pagave që duhet të përfundojë deri në fund të vitit, kurse do të zbatohet nga viti 2023 dhe do të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Si lëndë e harmonizimit të marrëveshjes kolektive të degës do të përfshihet pagesa e rregullt e regresit për pushim vjetor, gjegjësisht K-15, i cili do të fillojë të paguhet nga viti i ardhshëm.

Marrëveshja u përshëndet nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme. Ata shprehën kënaqësinë që të dyja palët dëgjuan apelin dhe arritën kompromis.

Greva në arsimin fillor dhe të mesëm dhe kopshte filloi më 11 prill. SASHK ka kërkuar rritje të menjëhershme të pagave për 18.4 për qind dhe harmonizim të pagave tjera me pagën minimale. Qeveria fillimisht propozoi rritje të pagave prej 10 për qind, por ky propozim nuk u pranua nga SASHK-u.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey