SPAK, dosjet e 2020/ Ish-ministri kërkon pafajësi, Adriatik Llalla më i trembur

Teksa shqiptarët presin të shohin gjah të ri në rrjetën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, SPAK dhe Gjykatës Speciale, 2020 do të jetë vendimtare për një sërë dosjes që gjenden aktualisht në ingranazhet e drejtësisë.

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri do të përballet këtë vit me Apelin e Gjykatës Speciale. Dënimi me 5 vjet burg për “shpërdorim detyrë”, i zëvendësuar me 3 vjet shërbim prove, u kundërshtua nga ish-zyrtari lartë. Ankimi është depozituar në muajin shtator, por dosja ende nuk i është përcjellë shkallës së dytë.

Po në këtë gjykatë, pritet të marrë rrugë gjyqi ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij, i mbetur në ngërç gjatë vitit të kaluar. Nga janari i 2019-ës deri në fund të tij, procesi shënoi 27 seanca të dështuara, për shkak të konsumimit të gjyqtarëve,vështirësive në zëvendësimin e tyre dhe mungesës së avokatëve.

Në shkallën e parë të Gjykatës Speciale është në prag finalizimi gjyqi ndaj Arbër Çekajt dhe dy të bashkëakuzuarve të tjerë për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri. Prokuroria kërkoi 33.5 vite burg në total për ta, ndërsa në seancën e radhës gjykata do të njihet me konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.

Po në këto salla do të vijojë gjatë 2020-ës gjyqi ndaj grupit të Habilajve, si edhe dy ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës, Gjergji Kohila e Sokol Bode, të akuzuar për trafik droge. Nga ana tjetër, prokurorë te SPAK pritet të finalizojnë hetimin për dosjen 339 dhe atë ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla./A2

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey