Strehimi i muxhahedinëve/ A rrezikohet Shqipëria nga Garda Revolucionare Iraniane

Shqipëria ndodhet me mijëra kilometra larg Iranit, por konflikti së fundi i iranianëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paktën teorikisht prek edhe Shqipërinë.

Dhe kjo, jo vetëm se Shqipëria ka si partner strategjik SHBA, por edhe për një arsye që lidhet vetëm me Iranin dhe ka të bëjë me strehimin e muxhahedinëve, të cilët që prej vitit 2013 ndodhen në vendin tonë. Por vrasja e gjeneralit suprem të QUDS, Gardës Revolucionare Iraniane ka lënë gjurmët e saj edhe në vendin tonë.

Vetë gjenerali që u ekzekutua mjeshtërisht nga SHBA nga një dron tejet i sofistikuar, e ka hedhur shikimin edhe nga vendi ynë që strehon muxhahedinët. Dhe kjo është e provuar dhe e deklaruar zyrtarisht nga krerët më të lartë të shërbimeve inteligjente shqiptare.

Nuk ka dyshime se Shqipëria është vendi i fundit që do të donte të përfshihej në këtë “lojë politike”, por strehimi i më shumë se tre mijë anëtarëve të opozitës iraniane ka bërë që vendi ynë të jetë tanimë në “shënjestrën” e regjimit.

Për Shqipërinë, e cila ka marrë në mbrojtje muxhahedinët e MEK, kjo përplasje vjen në mes të një krize të rëndë politike që e bën të paaftë të përballojë presionin diplomatik në rast të mundësisë së një konflikti real Iran-SHBA.

Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të pyesin nëse rrezikohen nga terrorizmi tashmë që në Shqipëri janë vendosur 3 mijë muxhahedinë, por edhe më së shumti pas vrasjes së Kasem Sulejmanit dhe deklaratës zyrtare në mbështetje të SHBA për vrasjen e gjeneralit iranian. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur.

Shqiptarët janë dëm anësor, sepse objektiv i tyre është MEK, dhe ky i fundit është i vendosur në Shqipëri dhe ndaj logjikisht nuk përjashtohet rreziku.

Një shtet si Irani që ka të identifikuar si armik kryesor, muxhahedinët, është krejt normale që ata ta mbajnë nën survejim, të organizojnë akte sabotazhi për ta dëmtuar shtetin mikëpritës.

Ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar prej muajsh se vendi nuk do të mund të qendrojë larg një konflikti të tillë. “Shqipëria është përfshirë papritur në një prej konflikteve më të rrezikshme gjeopolitike të kohëve të sotme, ajo që vë Iranin kundër Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera të Gjirit Persik.

Por, mbështetësi më i madh i MEK është Rudy Guliani, miku i afërt i Trumpit, i cili dëshiron që muxhahedinët të qeverisin Iranin. Guliani ka qenë edhe në Shqipëri në një kongres të zhvilluar prej tyre.

Në reagimin e tij zyrtar pas vrasjes së Soleimanit, MEK thotë se komandanti famëkeq i Forcave Quds kishte kryer masakra të përgjakshme kundër muxhahedinëve. “Qasem Soleimani ka vrarë 141 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) me anë të sulmeve terroriste në Irak nga viti 2009 deri në vitin 2016, duke përdorur Forcat Quds në Irak, të cilët i komandonte vetë”, thotë MEK në një njoftim për shtyp.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey